
Dy ndeshjet e fundit të Werderit Bremenit, në të cilat Rashica ka qenë pjesë e tyre, ishin me plot makthe për futbollistin shqiptar. Kjo për faktin se futbollisti i Kosovës ka qenë shumë pranë golit, por portieri në disa raste e fati në të tjerat, kanë bërë që Miloti të mos i gëzohet një realizimi me ekipin e njohur gjerman.
Pavarësisht se flasim për një kampionat si Bundesliga, e për më tepër për një klub si Werderi, trajeneri Kohfeldt nuk lodhet së mbështeturi Rashicën përtej gabimeve njerëzore. Pa iu sosur durimi në asnjë moment të vetëm, ai shprehet se ky moment i vështirë për lojtarin shqiptar do të kalojë, për t’u rikthyer edhe më i fortë. Megjithëse jemi mësuar rëndomtë, sidomos në trevat tona, që lojtarët sulmohen pas disa performancave të dobëta dhe nën pritshmëri, kjo nuk ndodh në ligat elitare të Europës.
“Unë pres që Rashica të fajësojë veten pas këtyre episodeve, sepse ai është i prirur të kujdeset shumë për ekipin dhe të marrë përgjegjësinë mbi shpatulla. Për momentin duhet t’i gëzohet kohës me familjen dhe do të ishte mirë t’i shuajmë të gjitha diskutimet për të. Sigurisht që vetë futbollisti është i shqetësuar, por deri nga ndeshja tjetër, më 19 janar, ka thuajse një muaj në mes. Deri atëherë plagët janë shëruar dhe gjithçka e përjetuar tani ka mbaruar. Përrallat më të bukura ekzistojnë vetëm nëpër libra. Kush më mirë se Rashica e di këtë gjë?”, u shpreh Kohfeldt. /Shqiperia.ch/