
Faton Xhemaili është futbollisti me origjinë shqiptare i vetëm që luan në Serbi. Sa shumë e vështirë është që t’i përkasësh kombësisë tonë dhe të luash në vendin fqinj, por mbrojtësi 20-vjeçar përbën një rast përjashtimi.
Alban Bushi e ka thirrur së fundmi te Shqipëria U-21 këtë futbollist, i cili aktivizohet me Radnikun. Në një prononcim për “Shqiperia.ch”, Xhemaili ka komentuar edhe shortin e kualifikueseve të Europianit, sa i përket Shpresave.
Atje kuqezinjtë e vegjël do të ndeshen me Kosovën, në një takim me rëndësi të veçantë. “Shpresoj të jetë një ndeshje e bukur, pasi me Kosovën jemi dy krahë shqiptarë. Sipas mendimit tim, do të dalim ne fitues ndaj vëllezërve tanë. Por kemi Anglinë në grup, që është një kundërshtar shumë i fortë. Me Austrinë dhe Turqinë jemi në të njëjtin nivel dhe besoj se renditemi më lartë se ta, për t’u kualifikuar në Europian”, u shpreh Xhemaili. /Rexhino Begolli- Shqiperia.ch/