
Kosova mund të ketë mundësinë për të luajtur ndaj Gjermanisë, pavarësisht se kjo Kombëtare nuk i ka rënë në kualifikueset e Europianit 2020. Këtë herë bëhet fjalë për një miqësore, e cila mund të zyrtarizohet në ditët në vijim.
Data dhe vendi është zyrtarizuar, ndërsa ka ende dyshime vetëm për kundërshtarin me të cilin do të ndeshen gjermanët, ku dardanët janë një mundësi e marrë në konsideratë. Flitet për datën 20-21 mars, Gjermania dhe Kosova nuk do të jenë të angazhuara me ndeshjet kualifikuese, ndërsa vendi ku do të luhet takimi miqësor është stadiumi i Wolfsburgut.
Situata është e tillë, kundërshtarë të mundshëm për djemtë e Lëvit janë Argjentina, Brazili, Danimarka, Uellsi, Serbia dhe Kosova. Pavarëisht se emrat duken disi të shumtë, disa prej tyre skualifikohen lehtësisht. Në bazë të atyre që raportojnë mediat gjermane, flasim për një stadium me kapacitet të vogël si ai i Wolfsburgut, vetëm me 27.000 ulëse. Në kushte të tilla, Brazili dhe Argjentina do të shkaktonte pakënaqësi tek tifozët, që nuk do të arrinin ta shihnin ndeshjen më nga afër.
Kështu, në kushte të tilla ngelen vetëm katër alternativa, mes të cilave është e mundur dhe një përballje me Kosovën. Për dardanët do të ishte privilegj dhe njohje akoma edhe më e madhe në arenën europiane, nëse do të kishin mundësinë të luanin ndaj pancerave gjermanë. Enigma do të marrë fund në ditët e ardhshme, për t’i dhënë fund kësaj historie. /Shqiperia.ch/