
Shumë realitet dhe aspak fantazi, megjithëse duket krejtësisht e kundërta nëse e mendon atë që ka ndodhur në Bundesligë. Werderi ka arritur të fitojë me rezultatin 3-1 ndaj Dusseldorf, në takimin e vlefshëm për kampionatin gjerman.
Milot Rashica është larguar në minutën e 76 të takimit, duke lënë një shije të mirë për ato minuta që është aktivizuar në fushë. Në vendin e tij ka hyrë dhe debutuar talenti amerikan, Josh Sargent. Për herë të parë me fanellën e Werderit, futbollisti 18-vjeçar do i shtangte të gjithë.
Vetëm dy minuta në fushë, asgjë më tepër. Kontakti i parë me topin, gjuajtja e parë në portë dhe Sargent duhet vetëm të nis festën për golin e parë të shënuar. E si mund të shkonte më mirë se kaq? Tifozët fërkojnë sytë, por e kanë parë mirë golashënuesin e golit të tretë: “Josh Sargent”. /Shqiperia.ch/