
Loret Sadiku thuajse është kthyer në një telenovelë përsa i përket çështjes së cilës Kombëtare do të jetë pjesë. Në fillim u mendua se Loreti do të ishte pjesë e kuqezinjve, teksa tek lista e publikuar nga italiani Panuçi për sfidat e fundit të Kombëtares në nëntor, ishte i pranishëm edhe emri i mbrojtësit. Kujtojmë që më pas, Sadiku u largua nga kuqezinjtë për shkak të disa problemeve fizike të cilësuara nga vetë lojtari.
Menjëherë pas kësaj situate që u krijua, në media u aludua se Sadiku mund të dëshironte të ishte pjesë tek përfaqësuesja e Kosovës. Tashmë akoma nuk ka një vendim zyrtar të lojtarit se kë do të përfaqësojë në rang kombëtaresh. Pak më parë, Federata e Futbollit të Kosovës, njoftoi të gjithë sportëdashësit e saj në lidhje me këtë çështje, se është ende në proces dhe akoma nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga lojtari për t’iu bashkuar Kosovës në një të ardhme.
Ajo çka shikohet në këtë njoftim, është se Loreti akoma nuk duket se është i vendosur për këtë pjesë. Duke parë edhe moshën e tij, 27-vjeçare, që cilësohet si një lojtar “i pjekur”, duhet ta zyrtarizojë sa më shpejt vendimin, koha nuk punon më në favor të tij.
“1 dhjetor, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se çështja e futbollistit Loret Sadiku, pjesë e skuadrës turke Kasimpasa, ende është në proces dhe ende nuk ka një vendim zyrtar nëse do t’i lejohet paraqitja me Kosovën në të ardhmen. FIFA deri më tash ka refuzuar ta lejojë Sadikun të luajë për Kosovën, me arsyetimin se ka humbur mundësinë e ndërrimit të përfaqësueses kur ka bërë kërkesë që nga Suedia të kalojë te Shqipëria, mirëpo futbollisti në fjalë në fakt nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje me kombëtaren shqiptare”, ishte njoftimi i FFK-s në faqen e saj zyrtare. /Shqiperia.ch/