
Lokomotiva e Zagrebit do të humbiste me rezultatin 1-2 ndaj Rijekës, në takimin e vlefshëm për Kupën e Kroacisë. Sigurisht që në këtë humbje ka ndikuar edhe ai kartoni i kuq i Uzunit, që detyroi ekipin e tij të luajë gjysmën e lojës me 10 lojtarë.
Gjithsesi, ajo që ndodhi pas atij kartoni të kuq, vulos gjithçka për këtë djalosh. Një shpërthim i madh në lot, sikurse të flisnim për një finale të “Champions League”. Megjithëse ishte vetëm një takim Kupe, që për shumëkënd është vetëm sa për nxehmje muskujsh e pa kurrëfarë rëndësie. Por kjo nuk vlen në rastin e Uzunit, që kurrsesi nuk kërkon të prish sadopak imazhin e tij të ngritur me aq shumë mund.
Një reagim që duhet të duartrokitet edhe nga tifozët e Lokomotivës së Zagrebit, për të kuptuar se kanë lojtarë në ekipin e tyre, që nuk i duan vetëm lekët por edhe stemën. Për të kuptuar se në ekipin e tyre kanë edhe lojtarë që i luajnë me zemër në çdo sekond të lojës dhe përjetojnë po aq shumë vështirësitë e saj.
Leksioni që jep Uzuni për futbollistët shqiptarë në Europë vazhdon, për të treguar rrugën që duhet ndjekur dhe që nuk ndiqet. Pjesa më e madhe e lojtarëve, kanë rënë në grackën e Instagramit. Shëtisin dhe shkojnë gjithëkund, për të bërë foto e për të treguar në rrjetet sociale jetën luksoze dhe të bukur që bëjnë në Europë.
Por kjo nuk ndodh me Uzunin, që pavarësisht se ka kaluar në Kroaci, vazhdon të shohë vetëm fushë stërvitore me sytë e tij dhe asgjë tjetër. Bota dhe jeta e tij rrotullohet te topi i futbollit, ashtu siç edhe duhet të jetë. Lotët e derdhura në ditët e sotme janë shumë pak, në krahasim me ato që ka derdhur futbollisti shqiptar për të mbërritur deri në këtë pikë. Momenti të ngresh kokë tani Myrto, janë të tjerë ata që duhet të dalin kokëulur… /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/