Ardian Ismajli ka qenë futbollisti që ka bindur dhe ka ngrohur më së shumti tifozët shqiptarë, në ato dy takime që Shqipëria zhvilloi në muajin tetor. Fillimisht ndaj Skocisë, atje ku do të vinte edhe debutimi në kushtet më të këqija të mundshme për të, por Ismajli tashmë është mësuar të ringrihet edhe më i fortë pas çdo vështirësie.
E për të vazhduar ndaj Uellsit, ku Shqipëria do të fitonte me rezultatin 1-0, ndërsa mbrojtësi i Hajdukut do të ishte thjeshtë i pakalueshëm në qendër të prapavijës. Intervistat për mediat shqiptare nuk janë të shpeshta, pasi Ismajli preferon të flasë më tepër në fushë sesa për për mikrofonat e mediave.
Megjithatë “Shqiperia.ch” ka arritur t’i shkëpus një intervistë, ku lojtari tregon gjithë emocionet e përjetuara te Kombëtarja dhe bën një premtim: “Kthehemi mes më të mirave në Europë”.
Tashmë përjeton momente të mira të karrierës, por sa shumë peripeci ka kaluar Ismajli?
Kam kaluar shumë peripeci në jetën time, por më e vështira ka qenë gjatë kohës kur trajneri i Hajdukut ishte Kopic. Ai nuk më jepte asnjë mundësi dhe përse kam qenë shumë i përgatitur dhe gjithmonë në maksimumin tim. I kam kryer detyrat ashtu siç duhet, ato që ai na jepte, por vetëm me durim dhe punë i përballon padrejtësitë që kurrsesi nuk mund t’i evitosh.
Mendimi i parë që të erdhi ndërmend pasi duhet të hyje në fushë ndaj Skocisë?
Kisha shumë emocione të mëdha, por arrita t’i kontrolloja. Ishte koha që të debutoja sa më mirë dhe të ndihmoja Kombëtaren, pasi të gjithë e dimë atë situatë që ndodhi ndaj Skocisë.
Të gjithë kritikojnë Panuçin. Sa shpejt je përshtatur me të dhe si e sheh të ardhmen e Shqipërisë?
Jemi përshtatur mirë me Panuçin, sepse ka pasur njohuri për ndeshjet e mia që kam luajtur me U-21 e Kosovës. Por ashtu edhe takimet që kam zhvilluar me Hajdukun, e ka pasur besim të mua. Besoj se në ato raste e kam justifikuar besimin tim, ndërsa Shqipërinë e shoh të sigurt në mesin e Kombëtareve të mëdha.
Futbollisti që ke pasur më afër deri tani te Kombëtarja?
Nuk mund të veçoj dot një emër të vetëm, kanë qenë të shumtë futbollistët që më kanë afruar, për ta pasur sa më të lehtë ambientimin.
Ke qenë një titullar i padiskutueshëm te Hajduku ndeshjet e fundit. Si ka ndryshuar historia në klub?
E thjeshtë, me ardhjen e trajnerit të ri ndryshoi situata. Ai e ka parë përgatitjen dhe talentin tim në kryerjen e detyrave, e kështu është bindur se e meritoj të jem pjesë e formacionit startues.
Ndryshimi i parë për ty mes fanellës së Kombëtares dhe klubit?
Për Hajdukun ka 3 vite e gjysëm që luaj dhe të them të drejtën jam mësuar tashmë. Ndërsa Shqipëria është histori tjetër, ka qenë shumë emocionuese sigurisht.
Për të sqaruar përfundimisht situatën me Kosovën. Kur e vendose përfundimisht për Shqipërinë dhe si qëndron e vërteta me refuzimin e Shaland?
Përfundimisht kam vendosur në shtator dhe kjo ka qenë arsyeja e refuzimit të ftesës që i bëra Shaland, megjithëse kam pasur ftesë nga trajneri i Kosovës edhe për ndeshjet e tetorit.
Kohë të vështira për tifozët e Shqipërisë. Si mund ti bindim për sukseset e Kombëtares në të ardhmen?
Bashkë me lojtarët e tjerë të Kombëtares, u premtojmë tifozëve se do i kthejmë dinjitetin Shqipërisë, ashtu si në Europianin e shkuar, për të dërguar në mesin e më të mirave. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/