Ardian Ismajli po kthehet në futbollistin më kryesor në Kroaci te Hajduku i Splitit, teksa javë pas jave po shpallet si lojtari më i mirë.
Skuadra e tij ka barazuar me rezultatin 2-2 ndaj Slaven Belupos, duke marrë një pikë jetike, në një kampionat që nuk po shkon në mënyrën më të mirë. Gjithsesi, për Ismajlin gjithçka është duke ecur në rrugën e duhur.
Afrimi i ri i Shqipërisë garantohet si një titullar i padiskutueshëm në këtë skuadër, teksa për të disatën herë renditet mes më të mirëve. Sipas “Sportcom.hr”, Ismajli vlerësohet me notën 6.5 që është edhe më e mira kjo në skuadrën e Hajdukut.
Mbrojtësi shqiptar e ka treguar vlerën e tij edhe me Kombëtaren, duke qenë i pakalueshëm ndaj Uellsit. Ndërkohë ajo që duhej theksuar në ndeshjen e djeshme, ka qenë goli i parë i Hajdukut në kufijtë e qesharakes, teksa duhej të dilnin huq shumë futbollistë të Slaven Belupos, aqsa mund të cilësohet edhe si një realizim i falur. /Shqiperia.ch/