
Tashmë është kthyer në një simbol te Uellsit, Chris Gunter ka zhvilluar më shumë paraqitje se të gjithë futbollistët që ka pasur kjo Kombëtare në histori. E megjithatë, në fund ka pasur vend për shumë trishtim e aspak festë për lojtarin në fjalë.
Kjo pasi në “Elbasan Arena” ishte Shqipëria që doli kokëlartë, duke fituar me rezultatin 1-0 falë golit të Bekim Balës nga pika e bardhë. Trajneri Gigs nuk ka kërkuar alibi te arbitrat dhe kontestimi që lojtarët kanë bërë për drejtësinë e këtij takimi, nuk është pranuar nga legjenda e Mançester Junajtid, duke e quajtur si një mësim të marrë në Shqipëri.
“Ishim shumë të relaksuar, të vetëkënaqur dhe lojtarët e kanë lënë veten shumë poshtë. Jam vërtet i zhgënjyer. Nuk mendoj se arbitri apo vendimet e tij kanë të bëjnë me rezultatin. Ne kemi marrë atë që meritonim.
Ndoshta do të kthehemi te ky takim dhe do të mësojmë shumë gjëra, ishte një leksion mësimi për ne ndeshja ndaj Shqipërisë. Nuk ka lojëra të lehta në futbollin ndërkombëtar. Është turp për ne që nuk arritëm të fitonim në takimin e veçantë të Chris, që theu rekordin me Uellsin”, u shpreh pas ndeshjes Gigs. /Shqiperia.ch/