Sa mirë që Elseid Hysaj nuk luajti ndaj Skocisë, për pezullimin e kartonave. Vetëm imagjinojeni, sa shumë vrer do të kishte ndaj mbrojtësit shkodran, për një situatë që tashmë ka dalë nga kontrolli.
E në një moment të tillë kur Hysaj po e vuan jo pak një situatë aspak të mirë te Napoli, disa kritika dhe halle të tjera që do i shtoheshin te Shqipëria, që thjeshtë do e mbingarkonin deri në atë pikë, aqsa futbollisti nuk mund të mbajë dot më.
“Është edhe futbollisti i Napolit”, thuhet rëndomtë në ambientin sportiv shqiptar, ndërkohë që harrojnë pozicionin e Elseidit, mbrojtës. Ashtu siç edhe vetë Altin Lala do të shprehej për “Shqiperia.ch”: “Këtu presin të krosojë Hysaj nga krahu, e ta dërgojë topin në rrjetë me kokë po vetë”.
Detyrën e tij e bën shumë mirë, e në momentin që i kërkon të bëhet më shumë nga roli i tij, Hysaj nuk bën dot asgjë, as në mbrojtje për të kaluar në nivelin poshtë mesatares. Gjithsesi, ky është Elseid Hysaj, një mbrojtës i djathtë që nëse i kërkohet ta mbuloj vetëm këtë pozicion, e bën në mënyrën më të mirë. Të paktën, u shpëtoi kritikave edhe të pamerituara që mund të merrte ndaj Skocisë, sepse këtu digjet edhe “i njomi me të thatin”. /Shqiperia.ch/