
Shqipëria ka marrë një humbje të thellë ndaj Skocisë me rezultatin 0-4, që të lë pak për të diskutuar. Një disfatë me shifër të tillë, kuqezinjtë kishin kohë që nuk e përjetonin, e aq më shumë në një takim që zhvillohej në Shqipëri.
Niveli i treguar nga ana e lojtarëve nuk ka qenë ai i duhuri, teksa skemat e trajnerit me atë që paraqitën futbollistët në fushë, nuk kishin përputhje me njëra-tjetrën. Në kushte të tilla, “Shqiperia.ch” ka vendosur që në ndryshim nga e zakonshmja, të vlerësojë vetëm tre futbollistët më të mirë dhe tre më të dobëtit nga takimi i djeshëm në “Loro Boriçi”.
Tre më të mirët Ismajli (5)- Çfarë mund të bënte Ismajli më shumë sesa kaq, në debutimin më “horror” që mund të kishte menduar ndonjëherë? Mbyll gjithmonë në duele kundërshtarët e tij dhe fiton çdo top të mundshëm, derisa arbitri i “vë flakën” ndeshjes me një penallti të dyshimtë. Një gjë është e sigurtë, Ardiani është titullar në Shqipërinë e së ardhmes!
Grezda (5)- Vetëm 45 minuta luan në nivelet më të larta, por te kombëtarja shqiptare nuk është se shkëlqejnë shumë lojtarë. Në krahun e tij ishte i pandalshëm në krahun e majtë. Topi merrej dhe kundërshtari kalohej shumë thjeshtë, por gjithçka nis të ndërlikohet kur Grezda e tepron me mbajtjen e topit. Me daljen e Mavrajt me të kuq, asgjë nuk mund të shkojë normalisht e kjo ndikon në nivelin e Grezdës. Luan në nivelin e duhur, për aq kohë sa mund të luhet normalisht.
Berisha (4.5)- E çuditshme duket apo jo? Pësoi 4 gola, në të gjitha rastet që kundërshtari pati thuajse dhe e shpallim tek më të mirët. Por Etrit Berisha ishte vërtet mes më të mirëve në mbrëmjen e djeshme. Nëse lojtarët e tjerë e kalonin më thjeshtë atë disfatë, portieri i Atalantës ishte gati të shpërthente në lot dhe largonte gjithmonë topin me dëshpërim të madh. Asnjë faj në golat e pësuar, ndërsa gjysmë note e ngre nga të tjerët në sipërfaqe, për dëshirën , ndjenjën që ka për Shqipërinë dhe “skuqjen” në disfatën e pësuar. Zemra është aty!
Tre më të dobëtit Memushaj (4)- Futbolli ka kohën e tij, ndërsa ajo e Memushajt duken të ketë kaluar. Një ndeshje më e errët se mbrëmja që kishte kapluar Shkodrën. Në klub vazhdon të mbetet i rëndësishëm, por Lediani është në ndeshjen e disatë në Kombëtare, që nuk duket të ofrojë asgjë për Panuçin. Në kushte të tilla, kur situata sa vjen e përsëritet, mund të thuhet se kontributi i vlonjatit për Kombëtaren ka arritur limitin. Nuk mund të jap dot më shumë, e nuk duhet ta sforcojmë për të dhënë më tepër.
Mavraj(4)- Me kokë ose jo, i provokuar ose jo, KAPITENI duhet ta ketë princip kryesor: “Anija nuk duhet të braktiset për asnjë arsye”. E nëse kjo ndodh, duhet të ketë lot dhe dëshpërim të madh nëse një “fatkeqësi” të detyron që ta lësh në gjysmë të udhëtimit. Del me karton të kuq pa u mbyllur ende pjesa e parë, largohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë e pa asnjë pendesë nga fusha. Moshën nuk e reflekton në fushë. Thjeshtë e teproi dhe mbushi kupën ndaj Skocisë!
Manaj(4)- Duhet të jetë i ndërgjegjshëm për peshën e fanellës, ka pak probleme Rei në këtë drejtim. Humbet shumë për ne, megjithëse pak raste realisht që i paraqiten përpara portës. Nuk bën asgjë për të ndryshuar fatin e takimit, apo për të vendosur në presion mbrojtësit e Skocisë. Mjaftohet me disa topa që i serviren nga krahët, për t’i shpërdoruar edhe ato. Nëse Manaj nuk lë gjurmë sërish edhe këtë herë, çfarë mund të pretendojë më tepër sulmuesi nga Kombëtarja? Afrimi i Sadikut e ul në stol në mënyrë të padiskutueshme. /Shqiperia.ch/