Në Shkodër do të kërkohet një çmenduri, pasi e tillë mund të quhet përllogaritja që na nxjerr në krye të tabelës së grupit C. Kombëtarja e Shqipërisë luan ndeshjen e fundit në këtë fazë të Ligës së Kombeve. Me gjithë dëshirën e madhe që mund të ketë çdo tifozë për të shpresuar në kalimin e grupit, shpresat ventiten teksa shohim rezultatet dhe pozitën aktuale.
Ndodhemi në vendin e fundit me tre pikë dhe me golavarazh -3. Logjikisht gjithçka duket e pamundur. Ndërsa praktikisht optimistët mund të shpresojnë për 90’ minuta. Do të duheshin 4 gola në “Loro Boriçi”, për të kthyer gjithçka në balotazh. Me një goleadë të tillë Shqipëria shkon në shifrën e 6 pikëve, teksa përmirëson golavarazhin me +1 gol. Sikur të mos mjaftoi ky rezultat, Skocia duhet të na ndihmojë sërish. Këtë herë ishullorët duhet të mposhtin me dy gola avantazh Izraelin, pasi çdo rezultat tjetër favorizon një nga dy skuadrat në anën e golavarazhit.
Në këtë mënyrë Skocia do të barazohej me Shqipërinë me pike, por golavarazi i tyre do të mbetej në -1. Ndërkohë me po 6 pikë do të ishte edhe Izraeli, por edhe ata me rezultatin 2-0 do të shkonin në golavarazh me 0 gola. Kështu Shqipëria do të kalonte më tej vetëm fal golave, pasi pikët do të ishin të njejta për çdo Kombëtare. Asnjë rezultat tjetër nuk e kualifikon Shqipërinë, pasi dhe fitorja duhet të jetë e thellë. Por siç edhe e përmendëm më sipër, logjikisht kjo përllogaritje është larg realitetit për t’u arritur me kaq perfeksion. Në Shkodër le të luhet një futboll i bukur dhe të arrihet një rezultat pozitiv sa për moral. Pasi në këtë situatë të ndodhur, as droni i Ballist Morinës nuk do të bënte dot të mundur një kualifikim të dytë./Shqiperia.ch/