
Tashmë është java e Kombëtareve dhe çdo ikonë e futbollit apo edhe sportëdashës është i interesuar për situatën që po kalojnë Kombëtaret respektive, duke e kaluar disi në plan të dytë vëmendjen nga klubet të cilat janë pjesë apo simpatizojnë.
Xhenaro Skalato është një figurë e njohur e skuadrës së Napolit, teksa kohë më parë ka qenë edhe lojtar i këtij ekipi. Në një intervistë të tij për median “Calico Napoli 24 TV”, Skalato ka komentuar gjëndjen e skuadrës së Napolit, ku më pas është ndalur edhe tek çështja Hysaj. Ikona napoletane e ka ironizuar problemin e kontratës së pagës të Hysajt, se shqiptari me formën e treguar nuk e meriton t’i plotësohet kërkesa për një rrogë vjetore prej 3 milionë eurosh.
“Hysaj kërkon 3 milionë? Po aq sa Kulibali, në fakt diferencat mes tyre janë minimale, nuk ndryshojnë shumë (qesh)”, është shprehur Xhenaro Skalato.
Kujtojmë që këtë kohë është përfolur për një transferim të mundshëm të Elseid Hysajt nga Napoli verën e ardhshme. Shkak për këtë spekulim është bërë arsyeja se mbrojtësi kuqezi kërkon rritje page në rinovimin e kontratës, gjë të cilën klubi i Napolit nuk ka gjetur akoma gjuhën e përbashkët me menaxherin e Elseidit. /Rexhino Begolli- Shqiperia.ch/