
Për të kuptuar se kush ishte Interi dhe kush Atalanta në fushën e lojës, do të ishte shumë e vështirë në ditën e sotme.
Ekipi nga Bergamo ka bërë gjithçka mirë, për të dominuar kundërshtarin nga minuta e parë e deri te e fundit. Madje në 45 minutat e para, kishte edhe shumë bamirësi nga skuadra e Gasperinit, që ka falur më shumë se dy gola të sigurtë.
Pjesa e dytë nis në mënyrën më të mirë për Interin, teksa Berisha bën një gafë qesharake si ndaj Spanjës. Një largim topi krejtësisht i gabuar me këmbë, duke ngelur sërish në zonë për kundërshtarin, ka sjellë edhe golin e zikaltërve, që në këtë ndeshje i kishin ndërruar fanellën me Atalantën, me plotë kuptimin e fjalës.
Ashtu si ndaj Spanjës, kur kuqezinjtë e De Biazit po bënin gjithçka mirë, do të ishte Berisha me pasigurinë e tij në lojën me këmbë, e vetmja pikë e dobët, që do të sillte golin e rivalëve. Por fatmirësisht për të, gabimin e shqiptarit e ka zbehur një tjetër lojtar shqiptar, Gjimshiti, që e ka dërguar topin në rrjetë me kokë, ndërsa takimi ka përfunduar me rezultatin 4-1. /Shqiperia.ch/