Një artikull i para pak kohëve nga “Shqiperia.ch”, ishte pasqyrimi i një “luftëtari” që është i vetmi në llojin e tij, për të përfaqësuar shqiptarët në një arenë aq shumë të ndjekur në gjithë botën.
Për herë të parë, në këtë sport ka edhe një personazh që përfaqëson Shqipërinë dhe Kosovën. Ai quhet Gëzim Selmani, ose siç e thërrasin ndryshe në WWE, kompani kjo më e madhe e Wrestlingut, “psikopati shqiptar”.
Dashuria e tij për vendlindjen është shumë e madhe, aqsa shpeshherë flet edhe në gjuhën shqipe gjatë këtij shou. Selmani pritet të bëhet kampion në “Tag Team”, që etiketohet në këtë mënyrë skuadra kampione, së bashku me shokun e tij, Akam.
Forca e tij dhe fiziku jashtë normales, vihet re menjëherë tek ky njeri, që ka qenë tmerri i çdo kundërshtari. Gjithmonë në ndeshjet e tij në WWE, Selmani flet në gjuhën shqipe, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve përsëriten këto fjalë: “Çfarë po doni? Ne jemi më të mirët”.
Në ditën e djeshme, kjo dyshe ka arritur të fitojë titullin kampion në RAW pasi mundën Seth Rollins, ndërsa edhe këtë herë Selmani u paraqit në të njëjtën mënyrë në ring, duke folur jo pak herë në gjuhën shqipe. Gjithashtu ajo që duhet theksuar, është fakti se i njëjti sportist, ka refuzuar përfaqësimin e Holandës më parë, në sportet ekstreme dhe në kafaz, sepse dëshironte flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Shqiptari më parë ka qenë pjesë e MMA dhe vendeve të tjera ku duelohej me forcën e vërtetë, aqsa para disa vitesh për pak sa nuk e ka lënë të vdekur në vend një sportist serb. /Shqiperia.ch/