Përpara pak ditësh, Myrto Uzuni ka arritur të kualifikojë ekipin e tij të Lokomotivës së Zagrebit, në fazën pasardhëse në kupën e Kroacisë. Djaloshi nga Berati arriti që të shënonte një gol dhe të dhuronte edhe dy asist në fitoren që mori ekipi i tij kundër Zardarit. Në këtë përballje, Uzuni, është shpallur lojtari i ndeshjes, ndërsa Lokomotiva e Zagrebit arriti të fitonte me përmbysje me rezultatin 3-1.
Ajo ç’ka vëmë në dukje për Uzunin, është se edhe një herë tjetër ai është në 11 lojtarët më të mirë, por tani jo për javën e kampionatit kroat, por të Kupës. Me paraqitet e tij në sfidën e fundit, ai u shpall edhe lojtari i ndeshjes, gjë kjo që kohët e fundi po kthehet në një “modë” nga Myrto.
“Përsëri shfaqje fantastike e ekipit kombëtar shqiptar. Me rezultatin 3-1, fitorja kundër Zadarit ka ardhur nga ndihma e Uzunit, duke dhënë dy asist e duke shënuar një gol. Te Lokomotiva tashmë janë të lumtur dhe fërkojnë duart. Në tetë ndeshje, Uzuni ka shënuar tre herë dhe ka dhënë gjashtë pasime vendimtare”, përshkruan ”24.sata”, duke e përfshirë lojtarin shqiptar tek më të mirët.
Kujtojmë që Myrto Uzuni, arriti këtë verë të transferohej nga ekipi i Laçit tek skuadra kroate e Lokomotivës së Zagrebit, ku me këta të fundit ai është përshtatur shumë mirë. Me paraqitjet tek skuadra e Zagrebit, Uzuni po fillon të fitojë vëmendjen e shumë ekipeve të mëdha Europiane, teksa flitet që janë vënë në gjurmët e lojtarit. /Shqiperia.ch/