Duhej të shërbente si një test miqësor ku të provoheshin të rinjtë, ai takim për Kupën e Gjermanisë mes Rodinghausen dhe Bajernit të Myhniut. Por nuk rezultoi si i tillë, përkundrazi, bavarezët me futbollistët më të mirë nuk arritën të bindnin ndaj një kundërshtari modest që futbollin e ka vetëm si një…pasion.
Dy golave të shpejtë të Bajernit dhe penalltisë së humbur nga Sanchez, i është përgjigjur më së miri skuadra vendase, që ngushtoi diferencat e takimit në pjesën e dytë. Në jo pak raste situata është ndërlikuar, aqsa bavarezët kanë “flirtuar” edhe me turpërimin më të madh në kohët e fundit.
Me trajnerin Kovaç gjërat nuk janë duke shkuar në mënyrën më të mirë dhe ky takim thjeshtë sa e vërteton. Bajerni fiton, por duke parë emrat që kishte në fushë dhe kundërshtarin me të cilin u ndesh, kjo vetëm si fitore nuk mund të përjetohet nga ana e tifozëve.
Nga ana tjetër, tekniku kroat e ka lënë 3 minuta në fushën e lojës edhe Meritan Shabanin, duke e aktivizuar për herë të parë në drejtimin e tij. Megjithatë talenti shqiptar nuk mund të bënte asgjë, pasi hyri në fushë vetëm në minutën e 90, atëherë kur gjithçka kishte mbaruar. /Shqiperia.ch/