![](https://shqiperia.ch/wp-content/uploads/2018/10/plisataaaaaaaa.jpg)
Një skandal i vërtetë u cilësua ai i ditëve të fundit, teksa u zbulua se shumë media shqiptare dhe personazhe nga më të famshmit e më ndikuesit në vendin tonë, ishin të financuar direkt nga Greqia, për interesat e tyre personale në vendin tonë.
Mirëpo, faktikisht këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë skandal, pasi kjo është një fakt i ditur prej kohësh në vendin tonë. Nëse mendoni se gjithçka mbiu dhe u krijua në mënyrë misterioze brenda pak kohësh, jeni duke gabuar, rëndë madje.
Nëse riktheheni mbrapa, do të shikoni se asnjë media shqiptare nuk ka punuar për të mirën tonë të përbashkët. Kush duke dërguar ujë në mullirin e armikut, e kush duke luftuar për interesat e ulta personale, ka bërë që të pyetet pak në lidhje me interesat kombëtar.
Dëshmitë e fundit vijnë vetëm si shembuj. Një gazetare e njohur në Kosovë që flet për Shqipërinë duke thënë se janë “dardanët”, që na kanë mbajtur, madje duke mos përmendur as emrin tonë, por duke na quajtur thjeshtë…”ata”. Në këtë linjë do të vazhdonte edhe një tjetër portal në Kosovë, që do i etiketonte “Plisat” si tradhëtarë, sepse këta të fundit mbështesnin fqinjët (Shqipërinë). Në raste të tilla, nuk duhet pritur të dalë me patjetër një skandal nga diku, për të kuptuar situatën ku gjendemi.
Por ky nuk është një problem i ardhur vetëm nga shqiptarët në Kosovë, por edhe ata në Shqipëri. Kështu, media e Shqipërisë zyrtare ka bërë lëmsh jo pak interesat kombëtare. Për të nisur nga detajet më të vogla, e për ta mbyllur tek ato më të rënda, askujt nuk i dhemb për këtë vend, për sa kohë prej tij përfitohet tmerrësisht shumë.
Komentatorë të ndryshëm të mediave shqiptarë, cilësojnë si “kosovarë”, futbollistët të cilët janë shqiptarë të Kosovës. E në momentet kur kjo temë trajtohet e këta persona vihen me shpatulla pas murit, atëherë shprehen se ky etiketim është njësoj ashtu si edhe për një vlonjat, kuksian, dibran e krahina të tjera të Shqipërisë.
E ardhur madje edhe nga vetë televizioni ynë shtetëror, duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje dhe kujdes mënyrës së shprehjes. Të gjitha arsyetimet për çështjet krahinore, janë vetëm pallavra nga njerëzit që iu intereson pak për këtë vend. Kështu, ka shqiptarë të Kosovës dhe nuk mund të ketë kosovarë. Sepse nëse ecim në llogjikën e kësaj të fundit, atëherë si mund t’i etiketojnë shqiptarët e Maqedonisë, komentatorët e njerëzit e sportit, me dashurinë e tyre të madhe për vendin tonë, por që kërkojnë t’i bien shkurt përkufizimeve?
As që nuk duhet çuar ndërmend përgjigja, por edhe në kushte të tilla, dërgohet ujë në mullirin e armiqëve, pavarësisht nëse flasim për interesa përfitimi apo të drejtpërdrejta për të ndihmuar armiqtë tanë të gjithë historisë, që na kanë shoqëruar e kërkojnë të përfitojnë prej nesh.
Për të vazhduar e për të vazhduar, kemi rastin kur komentatori i televizonit tonë shtetëror, shprehet hapur në mënyrë të turpshme se jo vetëm është tifoz i Serbisë dhe mbështetës i vjetër i futbollit, por gjen guximin edhe për të qeshur, kur Shqipëria dhe grupmoshat e saj humbasin e ndodhen në momente të vështira.
Disa të tjerë, nuk hezituan që të quanin kapitenin e Shqipërisë, Mërgim Mavrajn, si grek, vetëm se ky i fundit u fotografua me pasaportën e Mihajt. Pa u munduar aspak për të konfirmuar lajmin dhe pa e menduar dy herë ndikimin që e gjitha kjo mund të kishte te audience. Por jo, mjafton që krijimet e tyre të kenë klikime dhe interes, pa e vrarë mendjen shumë për pjesë e tjera ndikuese te tifozët shqiptarë. Madje edhe kur vetë Mavraj zbuloi shakanë e tij, askush nuk i tërhoqi fjalët mbrapsh, por bën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Ndërsa në televizione të caktuara private, njerëz të cilët kanë parë e dëgjuar disa kanale sportive të huaja, kërkojnë të fusin vend e pa vend mënyrën e tyre të të shprehurit, duke e ngatërruar gjuhën shqipe, me lloj e lloj fjalësh e emrash, që vetëm shqipes që nuk mund t’i përkasin.
Duke parë të gjithë këtë gjendje, “Shqiperia.ch” është e vetmja media në vendin tonë, e përkushtuar 100% për Kombëtaren, Shqipërinë, lojtarët dhe kombin tonë. Në kushte të tilla, e pamë të nevojshme që të hynim në treg dhe të konkurronim përballë “shushunjave” që kërkojnë të pijnë gjakun e shqiptarëve dhe që as i mendojnë dy herët fjalët e tyre. Duke marrë diçka nga kënga e “Plisave”, kjo do të ishte përgjigja jonë më e mirë: “Jemi krenar të quhemi “tradhëtarë”, nëse jemi e vetmja(media) me ty Shqipëri”. Përpara, kemi një mision për të dërguar, ndërsa botën, kampionatet dhe kompeticionet e ndryshme europiane, apo edhe showbizin, ua kemi lënë të tjerëve të kujdesen për to… /Shqiperia.ch/