Bersant Celina ishte futbollisti i bërë shembull së fundmi nga ana e Shaland, duke u lënë jashtë listës së Kosovës për takimet e zhvilluara ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe. Arsyeja ishte e thjeshtë, vetë trajneri i “dardanëve” pohoi se Celina i kishte kërkuar me ngulm një vend në formacion, por kjo nuk mund të pranohej nga tekniku zviceran.
Nga ana tjetër, me ekipin e Swanseas, futbollisti shqiptar vazhdon të tregojë performanca të një niveli të lartë. Në mbrëmjen e sotme, ekipi i Bersantit ka arritur të përmbys rezultatin ndaj Blekbërnit, nga 0-1 në 3-1. E si mund të mungonte në një ndeshje të tillë edhe Celina me protagonizmin e tij.
Pasi kishte bindur me lojën e zhvilluar, lojtari i Kosovës arriti të shënonte golin e tretë, që vendosi edhe fundin e historikut të këtij takimi. Kjo ishte përmbysja e tretë e Swansea në këtë sezon, duke treguar forcën e karakterit, kurajos dhe këmbënguljes për të vazhduar deri në fund.
Me Celinën gjithmonë si titullar, ekipi anglez e ka të qartë, takimi përfundon vetëm atëherë kur gjyqtari e ndërpret atë dhe jep vërshëllimën përfundimtare. Deri në atë moment gjithçka është e mundur. /Shqiperia.ch/