You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Rraklli në rrëfimin kritik: Shqipëria është niveli i tretë, këtu edhe berberi bëhet specialist futbolli

Ekskluzive/ Rraklli në rrëfimin kritik: Shqipëria është niveli i tretë, këtu edhe berberi bëhet specialist futbolli

Të shumtë janë njerëzit që i kanë dhënë aq shumë imazhit të Shqipërisë, për ta rritur atë në vështrimin e europianëve, ndërsa mirënjohja që ata kanë marrë nga vendi i tyre, nuk ka qenë gjithmonë ai i duhuri.

I tillë është edhe rasti i ish-sulmuesit të Shqipërisë, Altin Rraklli. Kur ky i fundit luante në Gjermani, për vendin tonë flitej pak në shtetin fqinj, ndërsa edhe kur ndodhte kjo, do të ishim protagonist të disa episodeve negative. Por futbollistët e asokohe ishin ambasadorët më të mirë, të një vendi që kërkonte të ngrinte sa më shumë figurën e tij dhe të tregonte se ishte tjetër nga ai që pasqyrohej.

Në një intervistë për “Shqiperia.ch”, figura legjendare e Kombëtares, Rraklli, është ndalur për një rrëfim të gjatë dhe ndryshe, për të folur mbi gjithçka dhe pa doreza, sa i përket gjendjes së kombëtares, talenteve të reja dhe dëshirës së tyre për t’iu bashkangjitur Shqipërisë.

Si e keni parë Kombëtaren në ecurinë e saj, që pas vitit 2005 kur i dhatë lamtumirën?

Më duhet të them fillimisht se kam pasur fatin e mirë që të jem edhe për një farë kohe pjesë e FSHF, si trajneri i femrave. Gjithashtu pasur fatin ta ndjek çdo ndeshje të ekipit kombëtar më nga afër, nga viti 2009 e sipër. Shqipëria është një vend i vogël, me një popull të vogël, por që ka zemër të madhe për futbollin. Faktikisht vendi ynë ka ecur gjithmonë me breza, fati i mirë dhe fati i keq njëkohsisht e gjitha kjo. Në momentin kur unë e lashë Kombëtaren, ka pasur shumë oshilacione, kjo është një gjë që na karakterizon ndër vite. Herë pas herë bëjmë paraqitje të mira dhe pastaj të këqija. Kemi ndërruar shumë trajnerë, një tjetër element që vlen për t’u përmendur. Për të mbërritur tek ai moment që ne u kualifikuam në Europian. Ishin të shumtë faktorët që ndikuan për një arritje të tillë historike në kohën e De Biazit, që i dimë të gjithë. Nuk duhet të harrojmë dhe lëmë pa theksuar, se jemi një ekip i vogël dhe me vështirësi të mëdha ekonomike. Në këtë mënyrë, është vërtet shumë e vështirë për të bërë një arritje të ngjashme, si ajo që bëri Kombëtarja jonë. UEFA i ka lehtësuar jashtë mase punët në kohët e fundit, por është e vështirë sepse ne nuk produktojmë lojtarë nga kampionati i brendshëm dhe ky është problem. Fati jonë gjithmonë do të mbahet peng nga lojtarët që luajnë në kampionatet europiane. Duhet të shohim gjithmonë për trajner të huaj, përndryshe do të jemi sërish në gjendjen ku jemi aktualisht. Ku jemi? Një ekip normal i nivelit të tretë, as i dyti nuk mund të quhemi.

“Liga e Kombeve” u duk një kompeticion favorizues për Kombëtaret e vogla, por vështirë se mund të dalim me gjë në muajin nëntor. Çfarë e penalizoi Shqipërinë në arritjen e rezultateve sipas jush?

Mund të them se janë shumë faktorë që kanë ndikuar në këto rezultate. Ne kishim në grup ekipe si Skocia dhe Izraeli, të cilat nuk duhet t’i llogarisnim shumë. Nëse them kështu, marr për bazë atë Shqipërinë e Europianit të Francës. Nëse e llogarisim me atë ekip kombëtar, do të ishim superior ndaj kundërshtarëve. Tashmë më duhet të them se jemi poshtë tyre, ne nuk kemi forcën tyre. Fitorja e Shqipërisë ndaj Izraelit ishte rastësi. Strakosha ishte në formë shumë të mirë, patëm fat në shumë raste, por mbi të gjitha që shënuam të parët, sepse nëse do të pësonim në ato raste që kundërshtari kishte, e vështirë do të ishte kthesa.

Sulmi është pika më e dobët e Kombëtares, pas lëndimit të Sadikut. Ndërkohë ju keni shënuar 11 gola dikur me fanellën kuqezi. Si duhet të jetë bomberi klasik i Kombëtares? Kush i përafrohet nga të rinjtë?

Unë faktikisht jam duke punuar si një menaxher futbolli në Gjermani dhe po kërkoj shumë për talente shqiptarë, të cilët nuk administrohen nga një menaxher. Jam duke kërkuar për futbollistë që mund të na shërbejnë për të ardhmen, por deri tani të them të drejtën nuk është se kam shumë njohuri rreth emrave të rinjë të aktivizuar nga Panuçi. Nuk kam shumë informacione në lidhje me ta dhe nuk mund të flas më shumë. Gjithsesi, nëse ata janë te Shqipëria, diçka ka tek ta, sepse në të kundërt Panuçi nuk do i grumbullonte.

Ka disa lojtarë me origjinë shqiptare në kampionatin gjerman. Sa vështirë është për një lojtar shqiptar që të ngrej kokë në këtë kampionat, duke qenë se dikur mbronit ngjyrat e Freiburgut?

Të luash në “Bundesligë” nuk është asnjëherë e lehtë. Nga ana tjetër kemi kampionatin anglez dhe atë spanjoll që është akoma më lartë, por edhe Bundesliga futet tek ato që quhen si kampionate të forta. Që të jesh pjesë e “Bundesliga 1” apo edhe të një kategorie më të ulët, fillimisht duhet të kesh treguar parametra shumë të mira. Abrashin e kam parë disa ndeshje, kohët e fundit ka pasur disa problem dhe nuk ka luajtur me skuadrën. Për Mehën kam pasur simpati të madhe, por rrjedha e karrierës së lojtarit varet nga shumë faktorë. Për aq kohë sa luajti me Shqipërinë, ai dha shumë për Kombëtaren. Më pas ndodhi ajo mosmarrveshje me De Biazin për lënien jashtë europianit. Ngelemi pak “shqiptar” në mentalitetin tonë, nuk bëhemi dot “gjerman” herët. Në kohën time, kur unë luaja si futbollist, kanë qenë më shumë lojtarët shqiptarë se tani në kohën aktuale, që luanim në Gjermani. Por e kuptueshme, kohët ndryshojnë. Atëherë duhej të ishte 90% futbollist dhe 10% ta plotësonte media, ndërsa tani është krejtësisht e kundërta. Ndonjëherë është media ajo që krijon një futbollist. Më përpara përveçse duhej që të ishe një lojtar shumë i mirë dhe të punoje pa ndaluar, duhej që të kishte edhe një menaxher të mirë, për të pretenduar sa më lartë.

Muslija dhe Rexhbexaj, nuk e kanë zgjedhur ende përfaqësuesen e tyre përfundimtare. Sa në lojë duket Shqipëria për të bindur lojtarë të këtij kalibri?

Ne duhet ta pranojmë, Shqipëria është një zgjedhje e dytë për çdo futbollist. Lojtarë nga Gjermania dhe Zvicra vijnë tek ekipi ynë kombëtar, nëse nuk e kanë një tjetër mundësi. Deri diku edhe logjike, nga forma që kemi treguar dhe rezultatet e marra, na dërgojnë në nivelin e dytë dhe atë të tretë. Na ndihmoi fakti që u futëm në Europian dhe na dha një dorë shumë të madhe për marrjen e disa lojtarëve. Unë kam parë edhe Kosovën, më janë dukur se kanë një skuadër shumë herë më të fortë, kompakte, por mbi të gjitha të qartë, në lojën që zhvillojnë. Kosova ka ecur në hapa të mëdhenjë dhe ka shumë talente në përbërje. Megjithatë, talentet bëhen ndonjëherë edhe nga menaxhimi i duhur.

Në Shqipëri hobi i njerëzve është sulmi ndaj një personi. Si i shikoni të gjitha këto kritika që po i bëhen Panuçit, duke parë lojtarët që kemi në përbërje dhe ata kundërshtarë?

Çdo trajner do kohën e tij dhe nuk jam në brendësi të së gjithës kësaj. Trajneri i Kombëtares, i kujtdo shteti, ka një detyrë madhore. Unë e kam ndjekur Panuçin në një konferencë për shtyp dhe më është dukur i njëjtë me stilin e De Biazi. Vetëm “përleshje” dhe ironi me gazetarët, edhe De Biazi e ka bërë në një periudhë me mediat. Gazetari mund të jetë provokativ dhe keqdashës herë pas here, por nuk duhet që t’i shkosh mbrapa. Ne kemi një problem të madh që kemi shumë specialistë. Jemi vend i vogël, por me shumë specialistë. Këtu te ne marrin vesh që të gjithë, prokurori, karrocieri, këpucari, berberi e çdokush tjetër. Shumica e lojtarëve nuk po luan në ekipet e tyre dhe trajneri dorëzohet përpara kësaj situate. Mesa shoh unë, Panuçin nuk po e bindin lojtarët. Ai ka eksperiencë të madhe si lojtarë dhe e di më mirë nga të gjithë, se nuk mund ta ndryshosh formacionin kaq shpeshë. Ne fituam me Izraelin dhe ndërruam menjëherë 5 lojtarë në ndeshjen pasardhëse. Kjo ndodh sepse lojtarët nuk po e bindin Panuçin me gjendjen e tyre, të paktën sipas vështrimit tim. Shqipëria e kishte një bosht përpara disa kohësh, ndërsa tashmë e ka humbur. De Biazi i krijoi vetes luksin e zgjedhjes atëherë, ndërsa kishte lojtarë si Cikalleshi apo edhe të tjerë, që të vraponin 10-12 km për ndeshje.

Përpara disa kohësh, De Biazi do të shprehej për një mangësi të shqiptarëve: “Këtu duan të marrin të gjithë pjesë në festë, por jo në dështim”. Si e komentoni këtë, nisur dhe nga eksperienca juaj?

De Biazi? Ndoshta u shqiptarizua edhe ai vetë pak si shpejtë. Në fitore e merrte vetë shpeshherë meritën, ndërsa kur humbiste ia kishin fajin lojtarët. Për mua, trajneri duhet të jetë një me skuadrën. Në kohën time në Gjermani, unë shihja teknikë që kishin një tjetër natyrë nga këta që po flasim. Ata kur fitonin ia linin meritat vetëm skuadrës, ndërsa kur humbisnin, e merrnin të gjithë përgjegjësinë mbi vete.

Përballë kemi rivalë si Izraeli apo Skocia, ndërsa këta të fundit mbushin stadiumin në kampionat me 50.000 tifozë. A mund ta quajë dështim Shqipëria nëse lihet pas tyre?

Mendoj se Shqipëria duhet të matet me forcat e saj. Sigurisht, Skocia ka një traditë të madhe në futboll. Ata e kanë si Zot këtë sport, e kanë luksin më duhet të them edhe nga gjendja ekonomike. Në Shqipëri vuajnë shumë në këtë anë. Por jo vetëm kaq, edhe rezultatet e dobëta kanë ndikuar. Mos të harrojmë që në Europian ka pasur shumë tifozë shqiptarë. Për mua kanë ndikuar rezultatet për një rënie të interesimit të Kombëtares, por treguesi i vërtetë do të jetë ndeshja e fundit ndaj Skocisë. Nëse nuk vijnë më shumë se 2000 tifozë në stadium, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon.

Aktualisht cilat janë planet e Rakllit?

Unë që kur ika nga Shqipëria, erdha në Gjermani me familjen. Aktualisht po merrem me një mikun tim të vjetër, që e njoh nga ana e sportit. Jemi duke drejtuar një agjenci për lojtarët e rinjë, ndërkohë që po kërkoj edhe për të ushtruar punën time, si trajner futboll. Nga fakti se u bën pak si shumë kohë në Shqipëri, ishte një periudhë shkëputje nga Gjermania dhe tashmë po punoj për të rregulluar këtë raport e për të punuar si trajner futbolli. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top