Nëse gjithçka do të vërtetohej, atëherë do të kishim të bënim me një rast të turpshëm. Janë mediat në Kosovë ato që pasqyrojnë gjithçka, e me shumë të drejtë madje.
Zyrihu luajti në ditën e djeshme ndaj kryesuesve të kampionatin zviceran, Young Boys, në atë takim të mbyllur në rezultatin 3-3. Nga minuta e parë për Zyrihun, ishin edhe Kryeziu me Kolollin. Ky i fundit u largua i supozuar i dëmtuar nga grumbullimi i Kosovës, menjëherë pas ndeshjes me Maltën.
Por, asnjë shenjë dëmtimi apo shqetësimi nuk vihej re në fizikun e lojtarit shqiptar, në takimin e djeshëm ndaj Young Boys. Përkundrazi, ai luajti 87 minuta e në nivel të lartë, pavarësisht se flitej për një ndeshje me rendiment shpejtësie dhe niveli të lojës mbi mesatare. Vetë rezultati me 6 gola të shënuar të tregon sadopak se për çfarë po flasim. Në Kosovë vazhdojnë më tej, duke thënë se ai largim i Kolollit nga Kosova, përpara ndeshjes që dardanët do të zhvillonin ndaj Ishujve Faroe, ka qenë një marrëveshje e vetë lojtarit me trajnerin Shaland.
Ishujt Faroe u konsideruan si një kundërshtar modest nga dardanët, ndërsa Kololli duhej të largohej për në Zvicër, për t’u përgatitur për ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit. Ndërsa e gjitha kjo, në media është pasqyruar nga Federata e Futbollit në Kosovë si një largim i detyruar i Kolollit, për shkak dëmtimi.
Nga ana tjetër, Kryeziu e kishte më të lehtë situatën e tij. Futbollisti mund të mungonte në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe, nëse do të ndëshkohej ndaj Maltës. Përfundimi? Sigurisht, një karton i verdhë nuk mund të evitohej nga Kryeziu ndaj Maltës, duke u kthyer menjëherë në Zvicër për t’u përgatitur ndaj Young Boys, e duke mos qenë i pranishëm ndaj Ishujve Faroe.
Këtu jemi duke folur për një hipotezë, e cila është hedhur në mediat në Kosovë, por kur e rishohim të gjithë këtë histori, nuk duket edhe aq e pabazë. Kosova barazoi në atë transfertë ndaj Ishujve Faroe, që nuk rezultuan edhe aq kundërshtar modestë, duke lënë hapur gjithçka, ndërsa me një fitore do të ishte mbyllur historia e kualifikimit. /Shqiperia.ch/