You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Ekskluzive/ Enkeleida Zeko: Gazetaria ndryshon nga modeli velinë, këtu teprohet me dekolten

Ekskluzive/ Enkeleida Zeko: Gazetaria ndryshon nga modeli velinë, këtu teprohet me dekolten

Shqipëria vuan për modele, në çdo fushë të jetës, e si këtu mund të mungonte edhe gazetaria sportive? Shpeshherë persona të ndryshëm që thonë shumçka në televizion, por asgjë për publikun, marrin vëmendjen e të gjithëve.

“Sëmundje” e hershme, në Shqipëri është një ligj i pashkruar, se të ecësh përpara duhet të jesh mes të pandershmëve. Por jo gjithmonë është kështu, nuk duhet të jetë kështu. Nëse shohim me vëmendje në fushën e gazetarisë sportive, atëherë mes shumë kërkimesh (jo edhe aq e lehtë), gjendet një gazetare sportive e mirfilltë.

Mes shumë kërkimesh, gjen një gazetare sportive e cila kur flet, duhet thjeshtë të dëgjosh, e jo me detyrim të shohësh. Për Enkeleida Zekon flasim dhe intervistën që “Shqiperia.ch” ka bërë me të, për të kuptuar disi më mirë gjendjen në të cilën ndodhemi.

Sa e vështirë ka qenë të thyhet tabuja e gazetares në studio dhe fushën e sportit?

Ka qenë e veshtirë për gazetaret e para sportive në Shqipëri. Ne duhej të punonim shumë për të shmangur presionin mashkullor që e kishte të vështirë të pranonte prezencën e femrës në këtë sektor. Ishte edhe çeshtje besimi, mendonin se një femër e kishte të vështirë të ishte gazetare e mirë sportive. Por një femër mund të jetë gazetare dhe nuk ka asnjë motiv pse sporti duhet të bëj përjashtim, ashtu siç nuk bën përjashtim as përfshirja e femrës në sport. Sot nuk ka më asnjë tabu, përkundrazi  them se femrën e kanë integruar në sport në kufijtë e të pa nevojshmes.

Cili ka qenë shembulli ku jeni frymëzuar më së tepërmi profesionalisht?

Babai im. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë modeli im. Ai më ka mesuar gjithçka di, edhe pse unë nuk e ndoqa dot ne profesion. Është kritiku më i madh dhe vlerësuesi më objektiv. Jeta e tij më ka treguar se çfarë do të thotë të sakrifikosh dhe sa larg mund të shkosh vetëm pa ndihmën e askujt, duke punuar fort dhe me ndershmëri.

Do të përshtateshit nën drejtimin e një emisioni me natyrë tjetër? Keni menduar ndonjëherë ndryshim?

Jo nuk kam menduar asnjëherë të largohem nga sporti. Por do te përshtatesha edhe në një emision të një natyre tjetër, pasi kam studiuar gazetari dhe jam brenda profesionit tim.

Cila periudhë mendoni se ka qenë trampolinë në karrierën tuaj?

Çdo ditë në gazetari më ka ndihmuar shumë. Por them se periudha kur kam punuar në “Telesport” më ka ndihmuar shumë profesionalisht, pasi ishte nje televizion i profilizuar për sportin. Ajo ishte trampolina për të nisur më pas punën në “TVSH” dhe me tej arrita te krijoj programin tim “Fair Play”. 

Italia është shteti nga ku ndoshta vjen edhe shembulli për gazetaret femra në futboll. Sa ka arritur media shqiptare ta përshtas këtë model?

Modelin velinë e kanë përshtatur shumë mirë, ndërsa për gazetarinë është tjetër histori. Duhet më shumë profesionalizëm dhe duhet ndarë koncepti prezantuese nga gazetare. Është ky term që shpesh ju ngatërron edhe ju kur pyesni.

Mjafton vetëm dekolteja e hapur për të berë gazetari, apo kjo është një formë e gabuar për mënyrën sesi i serviremi publikut?

Është ajo qe thashë edhe pak me lart. Jane dy gjëra të ndryshme, shpesh ne Shqipëri dekolteja ka koncept abuzues, sepse në shumë raste shfrytëzohet për të tillë qëllim. Është nocion krejtësisht tjetër nëse një gazetare cilësore do ta perdorte dekolten si “asin nën mëngë”. Por këtu ndodh rëndomtë që dekolteja të jetë cilësia dhe permbajtja. Kjo nuk më pëlqen.

Media po afron gjithmonë e më shumë, modele që nuk thonë asgjë për publikun. Meshkuj në bazë të miqësisë, e femra në bazë të formave. A mund të shihet alarmante situata e medias në Shqipëri?

Ka shumë vend për të diskutuar për modelet që ofrohen sot dhe nuk janë vetëm në media, por kudo hasim modele të gabuara. Edhe media është pjesë e tranzicionit që po kalon politika dhe shoqëria në përgjithësi. Kuptohet që media mban një pjesë të madhe të fajit sepse aty është më e lehtë të dallosh suksesin nga dështimi.

Çfarë i mungon gazetarisë sportive në Shqipëri, qoftë nga meshkujt apo nga femrat dhe çfarë ke parë gjithmonë si një kritikë për këtë fushë?

Na mungon shumë të qenit “Fair”. Kjo ka qenë shtysa për të krijuar programin tim “Fair-Play”. Një vend ku mund të thuash të vërtetën pa pasur frikë dhe pa të penguar askush.

Shumë femra në gazetarinë sportive në Shqipëri, por komentatorja e parë sportive ka ardhur nga Kosova. Si është e mundur kur ishin aq shumë arsye që të ndodhte e kundërta?

Kosova ka bërë shumë hapa të mëdhenj në sport. Shumë prej të cilave e kanë lënë Shqipërinë mbrapa. Si e tillë nuk ka përse të mos jetë kështu edhe në gazetarinë sportive. Kam shumë kontakte me kolege ne Kosove, janë profesioniste dhe shumë kerkuese. Më pelqen shumë kjo gjë, kemi marrë pjesë së bashku në shumë aktivitetedhe shkembime eksperiencash. Kam një vlerësim maksimal për punën e tyre.

E keni menduar komentimin e një ndeshje direkt?

Nuk është në prioritetet e mia komentimi i ndeshjeve. Më është kërkuar disa herë nga kolege të jem pjesë e komenteve, por kam të tjera aspirata ne profesion. /Klaudio Ndreca- Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top