
Shqipëria U-21 do të zhvillojë dy ndeshje gjatë muajit tetor, teksa fillimisht do të përballet me Estoninë, ndërsa pak ditë më vonë do të ndeshen edhe Spanjën.
Në konferencën e sotme për shtyp, përveç afrimit të ri, sulmuesit Ademi, ishte edhe mbrojtësi Tafa. Ky i fundit është shprehur se kuqezinjtë e vegjël duhej të kishin më shumë pikë në këto kualifikuese, ndërsa sa i përket takimit ndaj Spanjës, do të mundohen për t’i kufizuar hapësirat kundërshtarit.
“Kundër Spanjës do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi janë skuadër me element të shumtë cilësorë, por edhe një ekip kompakt. Do mundohemi ti limitojmë në hapësirat e tyre ofensive. Ndoshta rezultati i takimit në Spanjë nuk ishte edhe shumë real për lojën që bëmë, sidoqoftë duhet të kemi edhe pak fat.
Ata janë të parët e grupit, por ne do të bëjmë lojën tonë për të arritur më të mirën. Mendojmë të kufizojmë maksimalisht në hapësirat e tyre, për të mos i lënë mundësi. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim që ne mund të kishim më shumë pikë, nëse do të tregonim më shumë përqëndrim e kujdes deri në fund të lojës, ku dhe jemi penalizuar shpesh. Na mbetet të bëjmë më të mirën tonë tashmë për të mbyllur me pikë këtë raund eleminator”, u shpreh Tafa. /Shqipëria.ch/