
Tashmë është një çështje e cila mbyllet, pavarësisht polemikave të shumta që ekzistonin. Lirim Kastrati është njëriu më i përfolur në mediat kroate gjatë kohës së fundit, pasi po arrin të shënojë gjithmonë me Lokomotivën e Zagrebit.
Teksa në Kroaci e kishin bërë publike se Kastrati kërkonte vetëm Kombëtaren e tyre, është vetë futbollisti që njofton bashkimin me Kosovën. Në një intervistë për “Sporti në KTV”, Kastrati ka njoftuar edhe vendimin e tij më të fundit.
“Para disa ditësh, më ka telefonuar trajneri i Kosovës, Shalandes, me të cilin kemi biseduar dhe më ka thënë se do të më ftojë për dy ndeshjet e muajit tetor. Unë jam shumë i lumtur që do të kem rastin të luaj me Kosovën A dhe mezi po pres që të bashkohem me skuadrën. Unë kam kaluar shumë mirë te Kosova U19, U21 dhe mendoj që tani është moment të jap maksimumin edhe për ekipin e parë.
Nuk e kam thënë në asnjë media se do ta lë Kosovën për Kroacinë. Intervista ime u keqkuptua. Unë kam thënë nëse Kosova dhe Shqipëria nuk do të më ftonin, atëherë unë do të zgjidhja Kroacinë. Por nuk e lë Kosovën për asnjë Kombëtare tjetër, pasi vendimin e kam marrë përpara disa viteve”, u shpreh Kastrati. /Shqipëria.ch/