
Ndoshta mund të tingëllojë si një përcaktim i ekzagjeruar, por deri diku me baza të forta. “Një jetë” e Çekiçit është kaluar te Dinamo e Zagrebit, por thuajse asnjëherë me ekipin e parë, por vetëm në tribunë.
Po flasim për një lojtar vetëm 21-vjeçar, po që praktikisht është rritur me gjigantët kroatë. Do të ishte viti 2014, kur mesfushori shqiptar do të largohej drejt akademisë së Zagrebit. Në një ekip që punon së tepërmi me talentit, duke i besuar atyre që në fillimet e hershme, Çekiçi ishte një rast për përjashtim.
Futbollisti shqiptar gjithmonë ka lënë mbresa për mënyrën e tij të lojës, goditjet drejt portës, organzimin e lojës, duke lënë një shije të mirë, sidomos në grumbullimin me Shpresat. Por mesa duket kjo nuk është e mjaftueshme. Ai vazhdon të qëndrojë në ekipin e dytë të Zagrebit, ndërsa edhe në listën me të cilën kjo skuadër do të marrë pjesë në “Europa League”, shqiptari mungon.
Një rast i pazakontë ky, e një talenti të madh në dukje, që kalon kaq shumë vite te gjigantët kroatë, por pa e marrë kur shansin e tij. E për ta vazhduar llogjikën deri në fund, po flasim për një kampionat që për qëllim ka thjesht të nxjerrë talentet në “treg” dhe t’i shesë ata me rastin e parë që iu jepet nga ekipet më të njohura. Por fatkeqësisht ky nuk ishte rasti i Çekiçit. /Shqipëria..ch/