
Lirim Kastrati është padyshim futbollisti më i përfolur në kohët e fundit, sa i përket kampionatit kroat. Futbollisti shqiptar i ka bindur të gjithë me aftësitë e tij, ndërsa tripleta e realizuar në javët e fundit, i ka mahnitur të gjithë pas tij.
Megjithëse për shqiptarët ndoshta Kastrati mund të tingëllojë edhe si i panjohur, në Kroaci e dinin më së miri se për çfarë lojtari bëhej fjalë. Shumë kohë më parë, kur Kastrati mbërriti te Lokomotiva e Zagrebit, mediat kroate e kishin prezantuar këtë marrëveshje si një histori filmi.
Imagjinoni, një futbollist që vjen nga kategoria e 3 shqiptare, Shkëndija e Tiranës dhe që shkon në elitën e futbollit kroat. A mund të ketë çmenduri më të madhe se kjo, kur këtë kampionat e kanë të vështirë ta arrijnë futbollistët që luajnë në elitën e futbollit shqiptar?
Nuk mbaron këtu, Kastrati jo vetëm që do të bënte një hap kaq të madh, por edhe do të bindte drejtuesit se nuk kishin gabuar me të. Në ndeshjen e parë që ai do të zhvillonte ndaj një klubi gjigant e të njohur në Europë si Dinamo e Zagrebit, Kastrati do të shënonte një dopietë, ndërsa ekipi i tij do e mbyllte këtë transfertë “të pamundur” në dukje, me rezultatin 1-4.
Padyshim që mund të quhej një histori e denjë filmi. Në fund, mediat kroate shpreheshin se pavarësisht sesi do të shkojnë gjërat, Kastrati është një dëshmi se puna, disiplina, motivimi, karakteri dhe besimi në aftësitë e vetes janë një faktor kyç për zhvillimin e talenteve. /Shqipëria.ch/