Kjo periudhë në të cilën jemi duke folur, nuk është më e mira për portierin e Kombëtares, Etrit Berisha. Ky i fundit e ka humbur vendin e titullarit të padiskutueshëm te Atalanta, ndërsa edhe te Kombëtarja nuk po preferohet më për zgjedhje të parë, tashmë është Strakosha që ia ka marrë vendin.
Sipas asaj që përflitej në mediat italiane, Gollini pritej që ta niste si titullar në portën e Atalantës për ndeshjen me Spalin. Por në orët e fundit ka ndryshuar gjithçka, pasi sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe një shans për Etrit Berishën.
Portieri shqiptar po përjeton një situatë të vështirë dhe këtë e tregoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Kajlarit, teksa në të vetmin gol të pësuar dhe që vendosi fatin e ndeshjes, kishte jo pak peshë të fajit. /Shqipëria.ch/