You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Për t’u mos humbur! Serbia shkatërroi gjithçka në Kosovë, por jo futbollin

Për t’u mos humbur! Serbia shkatërroi gjithçka në Kosovë, por jo futbollin

Presidenti i ri i Federates së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ditën e sotme ka publikuar një shkrim, ku tregon sesi futbolli në Kosovë i rezitojë shkatërrimit serb, në sulmet që iu bënë këtij vendi. Ademi kujton me krenari triumfin pas kësaj periudhe të vështirë, teksa tregon rezistencën e popullit shqiptarë të Kosovës dhe tregon sesi u formua kampionati kosovar i klubeve.

“Atë botë, kur  Serbia po shkatërronte gjithçka shqiptare, lind pyetja a kishte rrugë tjetër? JO! Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, shfuqizimit të autonomisë së vitit 1974 dhe rrethimit të hekurt ushtarako – policor nga Serbia, që kishte nxjerrë tanke rrugëve të pushtuara të Kosovës, nga dita në ditë bëhej e qartë se harku perimetrik i të gjitha veprimtarive shqiptare po shtrëngohej deri në padurueshmëri. Pra, në këtë klimë regjimi serb mëtonte që popullata shqiptare apo bashkëpunëtorët që kërkoheshin kudo dhe me çdo kusht të përfshiheshin edhe në sport, për të pasur një alibi ndaj ndërkombëtarëve se shqiptarët e Kosovës mund të luajnë dhe i janë, gjithnjë sipas tyre, luajal regjimit të Millosheviqit. Mirëpo, të pakët, apo shumë të pakët ishin ata që u rreshtuan krah tiranisë, duke mbetur disa syresh, të cilët më vonë edhe ata u flakën dhe veçse njollosën imazhin e tyre. Në këtë frymë futbollin e të gjitha rangjeve në Kosovë e kishte kapluar një eufemi e paparë.

Represaliet kishin filluar në secilin klub shqiptar pa dallim qyteti apo komune e më gjerë, madje duke u pushtuar edhe klubet më të vogla nëpër viset më të largëta rurale. Masat e dhunshme reflektuan kudo sidomos në klubet e ashtuquajtura më të mëdha, të traditës dhe cilësisë si organizatore ashtu edhe ekipore, për ta ndjerë këtë dhunë. Prandaj,  “nuk mund të luash top me atë që të vret natën e të qanë ditën” thanë njëzëri futbollistët shqiptar të Kosovës dhe prijësit e tyre dhe vendosën të themelojnë Federatën e Futbollit të Kosovës. Pra, i thanë fuqishëm Jo Serbisë, duke thënë se rruga e jonë është e pavarur dhe kështu do të rrugëtojmë. Kjo rrugë nisi dhe nuk e ndali as dhuna, as burgosja e asgjë tjetër.

Duke qenë edhe vet pjesë e këtyre vendimeve të mëdha e të drejta, nga mbaj mendja me duhet të kujtojë të gjithë ata njerëz që u mblodhën dhe themeluan Federatën e Futbollit të Kosovës dhe morën vendimin për të nisur Kampionati i Kosovës. Ishin 20 skuadra që nisen vallen e futbollit të pavarur. Të prirë nga Prishtina, iu bashkëngjitën Flamurtari, Liria, Gjakova, Juniku, Elektroekonomia, Besëlidhja, Drita, Vllaznimi, Besa, Llapi, Kosova e Vushtrrisë, Suhareka, Kaçaniku, Ferizaji, Feronikeli, Ramiz Sadiku, Drenica, Trepça e Rahoveci. Kështu, tashmë Federata e themeluar në krye me Agim Bytyqin, kryetar, marrin vendim që Kampionati të nisë më 14 shtator, por për shkaqe taktike vendoset që më 13 shtator 1991, para 27 viteve të zhvillohet ndeshja Flamurtari- Prishtina, e nisin garat e para të Kampionatit të Kosovës dhe nuk u ndalën kurrë dhe u zhvilluan në forma të ndryshme varësisht nga kërkesat e kohës dhe rrethanave. Dhe kjo ditë shënohet çdo vjet me një ndeshje revyale ndërmjet veteranëve të Flamurtarit dhe Prishtinës.  Fushat, arat e livadhet si Llukari, Dumnica, Kqiqi, Gjergjica, Raushiqi e shumë tjera u shndërruan në fusha futbollit. I madh e i vogël u angazhua që të mos ndërpritet kjo rrugë e mëvetësisë së futbollit të Kosovës.

Shumë e shumë breza u sakrifikuan deri në flijim. Edhe lufta për çlirimin e Kosovës nuk ka mundur të mendohet pa pjesëmarrjen e futbollistëve dhe rënia e shumë njerëzve të futbollit në altarin e lirisë flet në dobi të kësaj. Ky lum i madh e njerëzve meriton respektin më të madh tonin dhe të shoqërisë së Kosovës e ata që dhanë jetën të i ngremë në piedestalin më të lartë të heronjve. Arsimi dhe Sporti ishin dy shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës së pavarur, që u rrit e po zë shtat gjithnjë e më shumë. Nuk ka njeri në Kosovë që nuk e qiti një gurë në këtë kala të futbollit të pavarur, madje edhe fëmijët, që paralajmëronin ardhjen e policisë serbe meritojnë respektin tonë që tashmë janë bërë burra e gra.  Dikush dha pare, dikush djersë e gjak, dikush lëshoi tokën për fushë futbolli e në fund dikush dha jetën për ta ardhur në këtë ditë ku pas gjithë kësaj sakrifice, futbolli u bë pjesë e familjes evropiane dhe botërore. Federata e Futbollit e Kosovës dhe ne që e drejtojmë atë, do të përkulemi para gjithë atyre njerëzve dhe do të u jemi mirënjohës për jetë e mot, për kontributin e tyre. Kujtimet dhe shprushja nëpër to do të jetë gjithmonë si udhërrëfyes për brezat që vijnë.

Dhe për fund Faleminderit të gjithëve për të gjitha”! përfundoi presidenti i FFK, Agim Ademi./Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top