Ndonjëherë thonë se dhimbjet të bëjnë edhe më të fortë, për të shndërruar në një “bishë” që askush nuk mund të të thyejë. Nuk është një histori përrallash, por realiteti ajo e Gentian Muçës, me të vetmen gjë të përbashkët, fundin e lumtur.
Mbrojtësi i Tiranës u desh të përballet me momentin më dramatik të jetës, teksa ka luftuar me tumorin. Nuk u dorëzua, për asnjë moment të vetëm, as që e dërgoi në mend për ta braktisur futbollin. Për fatin e tij të mirë, tumori rezultoi “beninj” dhe gjithçka i përket së shkuarës.
“Ndodhi pas asaj ndërhyrje. Pasi fillova rehabilitimin, po ndieja dhimbje te rrëza e kofshës së majtë. Pas kontrolleve dhe biopsisë që bëra fillimisht në Shqipëri, në muajin korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, e thënë shqip “masë tumorale beninje”. Ishte e lokalizuar me pak fjalë.
Më pas mora analizat dhe u nisa në Itali, ku bëra sërish kontrolle të tjera dhe një tjetër biopsi. Spitali në Torino vërtetoi diagnozën që mora edhe në Tiranë”, do të shprehej Gentian Muça, për të treguar rreth dramës që ai përjetoi përpara pak kohësh, ku mori edhe një nga sfidat më të mëdha të jetës.
Tashmë futbollisti i Tiranës gëzon një respekt të veçantë tek të gjithë tifozët e futbollit në Shqipëri, pasi histori të tilla, shkojnë përtej mbështetjes së një ekipi futbolli, ato janë frymëzim edhe shembull për jetën. Kokëulur, duke besuar fortë të mrekullia, Muça ia arriti që të bënte çmendurinë e madhe, për t’u rikthyer sërish në fushën e blertë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Klubi i Tiranës ka publikuar sot një video shumë emocionuese, për të treguar pak nga historia e mbrojtësit të tyre. /Shqipëria.ch/