Një humbje si ajo e Shqipërisë në Skoci, bëri që tifozët t’i riktheheshin edhe njëherë një çështje të vjetër ndaj trajnerit të tyre, Panuçit, duke e kritikuar për rezultatin e arritur, por mbi të gjitha, për lojën e zhvilluar.
E teksa largimi i këtij trajneri dukej vetëm çështje kohe, FSHF ka bërë të ditur vendimin e saj. Do të ishte kreu i Federatës, Armando Duka, që nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, është shprehur se një humbje nuk duhet përjetuar si një tragjedi.
“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tre pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe difektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi.
Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet ti japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.
Koha e llogorive nuk vlen për askënd. Kritikat jane normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt.
Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”, ka shkruar Armando Duka. /Shqipëria.ch/