Më shumë sesa për rezultat, ndeshja e sotme mes Shpresave të Shqipërisë dhe atyre të Spanjës, do të luhet për eksperiencë dhe statistikë.
Në orën 20:00 në ditën e sotme, spanjollët do të presin në shtëpi Shqipërinë, për të kërkuar fitoren edhe në këtë takim, një mision ky i zakonshëm për ta. Megjithatë nuk do të ishte e tepërt nëse do e konsideronim ndeshjen e sotme edhe si sfidën “e padëshiruar”, sepse askush nga dy Kombëtaret nuk e kërkon fitoren me çdo kusht.
Nga njëra ana spanjollët e kanë thuajse të mbyllur çështjen e vendit të parë, teksa i kanë ngelur edhe 4 ndeshje për të zhvilluar, nga ku duhet të marrin vetëm 1 pikë për të mbyllur përfundimisht historinë. Ndërsa nga ana tjetër është Shqipëria që luan për statistikë pasi ka grumbulluar vetëm 6 pikë në 7 takime.
Por sigurisht që ky takim është për t’u mos humbur, sepse te Shpresat janë grumbulluar edhe Ylber Ramadani me Kristal Abazajn nga Kombëtarja A për të rritur disi cilësinë e grupit të lojtarëve, prandaj sjellja e këtyre futbollistëve në fushën e lojës do të pritet me interes të lartë nga tifozët shqiptarë. /Shqipëria.ch/
Shënim: Takimin mund ta ndiqni minutë pas minute te Shqiperia.ch.