Nëse keni menduar se femra e “ëndrrave” është vetëm ajo e përallave, atyre të bukurave dhe aq shumë larg realitetit, atëherë sigurisht që pasi të njihni më shumë komentatoren Qëndresa Krelani, do të ndryshoni mendimin tuaj.
Bukuria e saj do t’iu bierë menjëherë në sy fillimisht, por nëse themi femra e “ëndrrave”, paraqitja e jashtme është pjesa e fundit që ne i referohemi. Dëshira e saj më e madhe, është që t’i hekuros rrobat personit të zemrës, t’i gatuajë atij dhe më pas ta dërgoj në…stadium!
Asgjë më shumë sesa kaq, por e gjitha bota për një tifoz futbolli. Qëndresa Krelani është femra e parë në trevat shqiptare që ka arritur të komentojë një ndeshje futbolli, Drita-Dufferange. Atëherë, si mundet që të mendoni se ajo ka ardhur deri këtu vetëm falë paraqitjes së jashtme? Të gjithë kemi nxituar dhe gabuar në këtë pikë, ndërsa në këtë intervistë për “Shqipëria.ch”, do të kuptoni se vendi ynë ofron aq shumë modele për t’u ndjekur, vetëm se duhet të kërkojmë për to…
Kur të ka lindur ideja për të qenë pjesë e gazetarisë sportive?
Nuk ka të bëj me ide, por me traditë në familje. Kur rritesh nga një baba me profesion si futbollist ne ish-Jugosllavinë dhe si femijë që në vend të filmave të animuar, shikon vetëm kanale sportive, në vend te kukullave, ambient argëtimi ka stadiumet apo palestrat sportive, atehërë nuk të mbetet gjë tjetër përpos që të ushqehesh me dëshirën për të jetuar në botën e sportit.
Vështirësitë e para në këtë profesion, cilat kanë qenë dhe si ke arritur të tejkalosh?
Vështirësi dhe zënia e frymës ishte dhe është mentaliteti. Mentaliteti që një femër nuk është e zonja të bëj punët e shtëpisë paralelisht me punën në stadiume. Njeriut tim të jetës mezi po pres t’ia hekuros rrobat, t’ia përgatis ushqimin dhe nga kuzhina të shkoj direkt në stadium. Nuk e kam fare problem. Vështirësi konsideroj paragjykimet që një femer shqiptare kurrë nuk mund të arrijë të komentojë ndeshje futbolli sepse fati i njeriut paracaktohet që nga vendi ku lind e ku jeton. Ky fenomen është zbatuar me vite e vite tek ne. Unë nuk pranova ta respektoj një rregull të imponuar dhe më në fund e bëra. E bëra për vete, për nënën time, për motren time dhe për të gjitha femrat të cilat sfidohen me ligje që shkruhen nga njeriu e jo nga natyra. Atehërë përse fytyra kryesore e sportit në Kosovë është femër? Majlinda Kelmendi! Pse edhe në boks që konsiderohet sport mashkullor, kemi perfaqësuese femër e ajo është Donjeta Sadiku. Femra shqiptare është e fortë dhe këtë e kemi vërtetuar.
Ka pasur shumë paragjykime sesi një femër mund të përshtatet në një profesion “burrëror” si ai i komentatorit?
Burrat i’u tremben femrave që nuk kanë frikë prej tyre. Kështu që shumë shpejt do të vij ajo ditë kur unë do të them: “Unë dhe koleget e mia, e jo vetëm unë dhe kolegët e mi”.
Na tregoni pak më tepër rreth emocioneve të para tuaja gjatë komentimit të ndeshjes së parë.
Nuk isha e vetëdijshme në ato momente për impaktin sepse po mendoja vetëm për lojën e Uefa Europa Ligës, Drita-Dudelange. Nuk mbaj mend asgjë. Dhe kur përfundoj gjithçka, nuk po e besoja se çfarë ndodhi. Unë femra e parë shqiptare? Nuk ishte gjithçka tek titulli, por përjetova gëzim që më në fund, më në fund nuk do të flasim për herën e parë, por që komentimi në futboll do të filloj të bëhet i natyrshëm për të gjitha femrat e tjera shqiptare. Dua ta falënderoj shefin tim, komentatorin e mirënjohur, Milaim Krasniqi i cili besoj tek unë dhe ma dha mundesinë e artë. Si fëmijë 17-vjeçare kur fillova punën ne Radio Televizionin e Kosoves, Milaimi pa potencialin që kisha dhe në çdo ceremoni sportive më ftonte që ta prezantonim bashkë. Sinqerisht ka shumë që nuhasin potencialin e dikujt mirëpo vetëm njerëzit e mëdhenj dhe që ia duan të mirën këtij vendi i japin frymë shansit që ke.
Sfida më e madhe që mendoje se do të përballeshe në komentim, por që e ke kaluar lehtësisht? Cila ka qenë?
Mbajtja mend e emrave të futbollistëve. Në Kosovë formacioni bazë i një skuadre në fanellat e tyre ka vetem numrat, sepse nuk figurojnë emrat. Dhe ne si komentatorë duhet të tregohemi shumë inteligjent në dhënien e emrave. Përpos që duhet të ndjekësh aksionet apo rrjedhën e lojës duhet të mendosh për secilin numër të futbollistëve në menyrë që mos ti ngatërrosh. Kjo ndodh vetëm tek ne. Unë nuk guxoj të përshkruaj lojën duke përmendur numrat sepse do të ishte shumë e lehtë. Duhet të mbaj mend emrat bazuar në numra. A thua komentatorët evropian do të mund të komentojnë një ndeshje futbolli bazuar vetëm në numrat e futbollistëve? Nuk e besoj. Kjo ështe sfida më e madhe me të cilën përballemi unë me kolegët e mi.
Sa avantazh mendoni se ju ka dhënë paraqitja e jashtme në ecurinë e karrierës tuaj? A jeni cilësuar në fillim vetëm si një bukuroshe e cila kishte pak lidhje ndoshta me fushën e gazetarisë?
Po të ishte për bukuri do të kishim të paktën dy femra komentatore të futbollit. Fakti që unë po konsiderohem femra e parë komentatore në trevat shqiptare tregon qe ajo çfarë mund te kapitalizosh nga bukuria është vetëm te prezantosh një emision të sportit gjithmonë e dirigjuar nga regjia që të asiston çfarë të thuash. Unë jam komentatore e ndeshjeve direkte. Për të komentuar sidomos në ndeshje ku futbollistët nuk kanë emra në fanella kërkohet dije dhe dija është i vetmi pushtet në futboll.
Po në Shqipëri, mendoni se ka gazetare të përgatitura për të komentuar një ndeshje futbolli, apo e vetmja gjë që ato mund të bëjnë është t’u japin kënaqësi publikut me paraqitjen e tyre?
Duhet të ketë dhe befasohem pse femra e parë komentatore shqiptare erdhi nga Kosova, kur lirinë më të madhe në ndertimin dhe funksionimin e Superligës dhe Kombetarës në krahasim me Kosovën e kishte Shqipëria. Nuk e kam te qartë ku qëndron problemi kur në Shqipëri ka volum shumë të madhe të femrave në redaksit sportive. Aty ku ka sasi do duhej te dilte një cilësi femër që do të komentonte një ndeshje futbolli. Për mua është fenomen pse akoma nuk ka ndodhur.
Nuk jemi as në Angli, Spanjë apo gjetkë tjetër në Europë dhe aty vjen risia më e madhe e komentimit. Tashmë teksa kjo ëndërr është plotësuar, cili është objektivi yt i radhës që ngelet për t’u përmbushur?
Objektivi im është që të komentoj dy ndeshje të futbollit, Kosovë-Shqiperi dhe Kosovë-Argjentinë. Kombëtarja e Argjentinës së Botërorit 1994 bashkë me idhujt e mi Batistuta dhe Claudio Caniggia, ka qenë arsyeja pse kam filluar të shikojë futboll, dihet mbas babait tim.
Do të shohim në komentinin e ndeshjeve të Shqipërisë në Ligën e Kombeve?
Mbas ndeshjeve për Ligën të Kampioneve dhe Europës, për momentin jam në Superligë dhe gradualisht po bëjmë planin edhe për ndeshjet e Kosovës për Ligën e Kombeve edhe ndoshta për kombëtaren e Shqipërisë.
Mesazhi më i mirë që mund t’i jepnit brezit të ri duke u bazuar nga karriera juaj dhe vazhdimin e ëndrrave për gjithsecilin prej tyre. Cili do të ishte ai?
Kurrë mos prek diçka me gjysmë zemre, ose futu i tëri ose asnjëherë përgjysmë. Fillo ushqeje ëndrrën me zemër, përkushtim, disiplinë dhe karakter, sepse momentin kur fillon te mendosh vetëm për para, në ato momente Zoti del nga dhoma. Pak ti, pak Zoti dhe ke për t’ia arritur. /Klaudio Ndreca- Shqipëria.ch/