Ndonjëherë të kushton shumë fakti i t’u krenuarit me prejardhjen tënde, sidomos në rastin e futbollistëve shqiptarë. Sa herë këta të fundit festojnë me simbolin e tyre që i përfaqëson, vendimet që vijnë nga organizmat më të lartë të futbollit, janë gjithmonë të tepërta dhe më të rënda nga çfarë duhet.
Këtë herë nuk po flitet për Shaqirin apo Xhakën, por për Shkodran Mustafin. Mbrojtësi i Arsenalit arriti të shënonte golin e parë ndaj Kardifit dhe në fund zgjodhi të festonte me shqiponjë. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, mbrojtësi i cili ka zgjedhur të përfaqësoj Gjermaninë, rrezikon një dënim të mundshëm nga Federata Angleze e Futbollit për mënyrën e festimit.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, fjala “provokim” është rikthyer edhe njëherë të qarkullojë në mediat serbe. “Kurir” nuk ka pritur më gjatë duke e lidhur festimin e Mustafit me atë të Xhakës dhe Shaqirit, për ta quajtur si një festim tendencioz kundër tyre. Shqiponja e Mustafit kundër të gjithëve, kaq e vështirë është që shqiptarët të tregojnë preajardhjen e tyre, pa hasur probleme? /Shqipëria.ch/