Kur erdhi te Sh qipëria, tha se do të luante në sulm dhe skema e tij e preferuar ishte 4-3-3, por problemet që ka shfaqur ekipi në ndeshjet e fundit, kanë bërë që Kristian Panuçi të rikthehet te skema që e kualifikoi Shqipërinë për në kampionatin europian, ose më saktë, tek ajo e De Biazit. 4-1-4- 1 ose 4-5-1 me dy lojtarë nga krahët, që japin një forcë të madhe në repartin e sulmit.
Ermir Lenjani dhe Odise Roshi me shumë mundësi do të jenë nga minuta e parë në ndeshjen kundër Ukrainës, ndërsa repartin e sulmit mund ta bëjë Rei Manaj. Edhe Guri ka shanse që këtë herë të luajë në majë dhe jo në krah, si ndaj Kosovës. Sipas lajmeve që raportohen nga “Supersport”, trajneri italian pritet të bëjë sërish eksperimente, por këtë herë me dëshirën për të marrë rezultat pozitiv. Abazaj vazhdoi të bënte stërvitje i veçuar, duke konfirmuar problemet fizike që ka pasur dhe me shumë mundësi nuk do ta nisë si titullar këtë ndeshje.
FORMACIONI– Skuadra që mund ta nisë si titullare përbëhej nga Berisha në portë, Hysaj në të djathtë, Mavraj në qendër me Gjimshitin, ndërsa këtë herë Veseli u provua mbrojtës i majtë dhe u zëvendësua në pjesën e dytë dhe nga Memolla. Përpara mbrojtjes u rreshtua Sabien Lilaj, kurse në mesfushë, Roshi, ishte në të djathtë, Ramadani dhe Ndoj në qendër, si ndaj Kosovës, dhe Lenjani në të majtë. Në vend të Roshit u aktivizua dhe Gavazaj. Në sulm, ndërkohë, mund t’i besohet Rei Manajt si titullar, ndërsa Sindri Guri e zëvendë- soi në pjesën e dytë, gjë që nuk përjashton mundësinë që lojtari më i ri i Ostendes të startojë sërish si titullar edhe ndaj Ukrainës.
/Panoramasport