Ergys Kaçe vazhdon të jetë jashtë listave të grumbullimit të përfaqësueses shqiptare të futbollit, por ndërkohë në Greqi është kthyer përsëri një futbollist i shumëkërkuar falë atyre pak muajve ku mundi të luante rregullisht në radhët e Panathinaikos.
Pikërisht klubi i qytetit të Athinës ka bërë të qartë se lojtari është objektivi i parë i merkatos për verën, pasi e sheh si përforcimin ideal për mesfushën. Sigurisht, me para Panathinaikos duhet të zgjidhë telashet që ka sa i përket borxheve ndaj lojtarëve e ish-lojtarëve. Por në mediat greke, bëhet e qartë se objektivi i parë që ka vënë stafi teknik i skuadrës është ai i afrimit të Kaçes.
Bisedimet mes palëve kanë filluar, por nuk është bërë ende një hap konkret, për sa kohë që te Panathinaikos ka paqartësi rreth të ardhmes së klubit dhe se kush do të jenë drejtuesit e rinj. /vipsport.al/