Thomas Strakosha mund të humbasë dy ndeshjet miqësore të përfaqësueses shqiptare kundër Kosovës dhe Ukrainës si pasojë e problemeve me dëmtimin e pësuar në javët e fundit. Futbollisti ka luajtur me injeksione për shkak të një problemi në shpinë, gjë që ka bërë të mos jetë në formën më të mirë të mundshme.
Për këtë arsye, ai i është drejtuar sot klinikës Padeia në Romë, ku shkojnë të gjithë futbollistët e Lacios për vizita më të specializuara mjekësore. Strakosha do të bëjë disa teste të veçanta për të parë shkallën e dëmtimit dhe sipas mediave italiane, parashikohet që të humbasë ndeshjet e përfaqësueses pasi kërkohet kohë riaftësimi për problemet e tij.
Në rast mungese të Strakoshës, Panuçi mund të thërrasë një tjetër portier për ndeshjet miqësore, ku kandidati kryesor është Gentian Selmani i Laçit i cili ka spikatur në këtë sezon. /vipsport.al/