You are here
Home > Kryefaqja > Një foto transferon Balliun në “tokën e mallkuar” të shqiptarëve

Një foto transferon Balliun në “tokën e mallkuar” të shqiptarëve

Artur Jędrzejczyk, mbrojtësi i djathtë i Polonisë, që luan për skuadrën e Legia Warszawa, pritet të largohet në verë dhe drejtuesit e klubit duhet të gjejnë një pasues për të. Në Poloni e kanë gjetur dhe ai është mbrojtësi Ivan Balliu. Një foto e tij e postuar me Cafu, mbrojtësin portugez të huazuar nga Metz te Legia, ka bërë që të dalë një lajm i tillë. Futbollisti i Shqipërisë, i cili luan në Ligue 1, ka luajtur rregullisht me skuadrën e tij në Francë, duke zbritur në fushën e blertë në 25 ndeshje (22 si titullar).

 

Kontrata e tij me Metz u rinovua verën e shkuar dhe zgjat deri më 30 qershor të vitit 2019, por me rënien e Metz nga Ligue 1, nuk përjashtohet mundësia e largimit. Por ndoshta Balliu do ta mendojë mirë kalimin te Legia, ku në të shkuarën shqiptarëve nuk u ka ecur. Ndoshta për 26-vjeçarin gjërat do të shkonin mirë, pasi fundja ka lindur  në Spanjë. Por le të kujtojmë eksperiencat e mëparshme të shqiptarëve në klubin polak.

BESNIK HASI – Pas largimit nga Anderlecht, trajneri gjakovar nisi një aventurë në Poloni në qershor të vitit 2016 dhe pasi e kualifikoi skuadrën në grupet e Champions League gjërat nuk shkuan mirë në kampionat. Rezultatet nuk ishin të duhurat, por kjo nuk ndodhi vetëm me të, por edhe me pasardhësit. Gjithsesi drejtuesit e klubi nuk duruan shumë dhe ndërprenë kontratën në shtator të vitit 2016. Vetëm tre muaj për Hasin në krye të skuadrës polake.

ALBAN SULEJMANI – Mesfushori 20-vjeçar, që më parë ka luajtur me moshat e Maqedonisë, tanimë është pjesë e Partizanit. Verën e vitit 2016 ai kaloi nga Renova në Poloni te Legia, por nuk mundi të luante dot asnjë ndeshje aty. Hasi u largua shpejt, ndërkohë që për mesfushorin plani ishte tjetër u huazua në ligën e dytë te Pogon Siedlce. Aty ai luajti vetëm pesë ndeshje dhe prej tyre vetëm një e nisi nga fillimi. Në verë zgjodhi të kuqtë, por edhe aty nuk po gjen hapësira.

ARMANDO SADIKU – Sulmuesi i Shqipërisë shkoi si njeriu që do të zgjidhte hallin e golave te Legia, por arriti të realizojë vetëm dy herë në kampionat. Sadiku u ble për rreth 1 milion euro dhe ishte ndër më të paguarit në skuadër. Në momentin që dukej se u përshtat dhe kur mund të luante më shumë, për sulmuesin mbërriti te polakët një ofertë nga Levante. Nuk u menduan dy herë dhe e shitën, duke bërë që të mos vijonin të humbnin edhe më shumë financiarisht, pasi paga e Sadikut thuhej se shkonte në 600 mijë euro në sezon. /EDS/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top