Kamer Qaka kishte dje mundësinë të tregonte të gjitha vlerat e tij në ndeshjen që Politeknika Iasi luajti përballë Steaua Bukuresht, pretendente për titull dhe kandidate kryesore për të blerë futbollistin e përfaqësueses shqiptare. Por mesfushori ka mbyllur para kohe ndeshjen me një paraqitje zhgënjyese, duke lënë fushën e lojës pas kartonit të kuq të marrë në minutën e 74 të takimit.
Kartoni ishte pasojë e dy të verdhave, të dyja thuajse të panevojshme, që i kushtuan këtë largim të parakohshëm dhe ndoshta mundësinë për të shkuar te Steaua. Këto episode treguan se nga pikëpamja psikologjike, ndoshta ai nuk është ende gati për futbollin e rëndësishëm, pasi shihej qartë që vuante shumë zërat e merkatos të ditëve të fundit.
Por ajo që bëri më shumë përshtypje dhe u përhap në rrjetet sociale ishte fakti se si Qaka reagoi menjëherë pasi kreu faullin e dytë, që i kushtoi të kuqin. Futbollisti u ul këmbëkryq në fushë, duke mbajtur kokën me duar, pa ngritur sytë lart për të parë gjyqtarin, pasi e kishte kuptuar gabimin e rëndë që kishte bërë.
Ai u largua më pas i dëshpëruar nga fusha e lojës, por duket se shërbeu si motivim për shokët e skuadrës, të cilët gjetën rrjetën duke mundur 1-0 Steauan në këtë duel dhe duke i hequr kësaj të fundit mundësinë për kreun e klasifikimit. /E.K./vipsport.al/