Klubi i Romës ka filluar që të mendojë menjëherë për sezonin e ardhshëm, për të përgatitur një skuadër me të cilën trajneri Di Françesko të synojë një tjetër rrugëtim të suksesshëm në Ligën e Kampioneve e sidomos që të rivalizojë për titullin kampion.
Sipas mediave italiane, drejtori sportiv Monçi ka piketuar që tani një talent që t’ia bashkojë skuadrës italiane, një talent vlera e të cilit në fakt ka rënë për faj të… Skënderbeut.
Lojtari në fjalë është Ante Çoriç, një nga yjet e skuadrës së Dinamos së Zagrebit, i cili shihej nga kroatët si talenti i madh i radhës që do të shkëlqente në futbollin botëror. Në klubin kroat, kartoni i tij vlerësohej rreth 25 milionë euro, por kjo vlerë ra ndjeshëm në verë, pasi Dinamo u eliminua nga Skënderbeu.
Në duelin e parë ndaj klubit korçar, në Zagreb, futbollisti thuajse nuk preku topin, duke e detyruar trajnerin ta zëvendësonte që në pjesën e parë.
Që nga ai moment, mes të dyve filloi një përplasje publike, e cila çoi në përjashtimin e tij nga ndeshja e dytë, edhe pse u tha se ishte për shkak të një dëmtimi. Kjo situatë u cilësua nga kroatët si një nga arsyet kryesore pse Dinamo u eliminua nga klubi korçar, ndërsa karriera e Çoriç mori një kthesë të papritur.
Tani, atij i jepet mundësia që të tregojë edhe një herë vlerat e tij. Mediat në Itali raportojnë se futbollisti do të kryejë këtë javë vizitat mjekësore para se të firmosë me Romën. Kjo e fundit do të paguajë vetëm 7 milionë euro për kartonin e Çoriç, si dhe 1 milion euro të tjera kur ai të luajë ndeshjen e parë me skuadrën e kryeqytetit italian. /E.K./vipsport.al/