I ftuar në emisionin Procesi Sportiv, sulmuesi i Luftëtarit, Kristal Abazaj, foli që në momentin e parë për gjërat që i kishin bërë përshtypje në Belgjikë, vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga vizitat mjekësore tek klubi i tij i ri i Anderlehtit.
“Sapo jam kthyer nga Belgjika. Atje më bënë përshtypje kushtet, që ishim pak a shumë si këtu(qesh).” – tha me shaka Abazaj.
“Goli me Partizanin, në fitoren 5-0, ka qenë goli më i bukur që kam bërë ndonjëherë. Pika ime e fortë nuk është koka, pasi jam përplasur njëherë me Telushin, dhe e kam marrë pak frikë të kërcej të provoj me kokë tani.”
“Para 1 muaji firmosa kontatën me Anderlehtin, dhe bëra disa vizita të detyrueshme. Rezultatet dola të gjitha në rregull. Atje flas anglisht. Provat i kalova të gjitha me sukses, dhe shkoi sipas planit. Atje pëlqejnë shumë sprintin dhe shpejtësinë time. Pashë ndeshjen me Standartin e Liezhit, stadiumi ishte plot, një atmosferë fantastike. Është hera e dytë që u takova me trajnerin, ndenjëm në zyrë. Më dha një program, por nuk e mora pasi kam edhe 3 ndeshje në Shqipëri. Pas këtyre ditëve do më çojë edhe programin. Unë iki në 16 qershor në Belgjikë. Bregu te Anderlehti? Do bëjmë diçka edhe për Bregun.”
“Kemi ecur shumë mirë me Luftëtarin. Europën nuk e kemi siguruar ende matematikisht, por besoj se edhe këto 2 ndeshje do marrim maksimumin dhe do arrijmë objektivin. Nuk mund të them se jam i dëmtuar, pasi nuk kemi bërë ndonjë rezonancë, por isha i lodhur nga udhëtimi në Belgjikë. Nuk duhej të isha futur në lojë ndaj Kukësit, por u futa. Edhe këto 2 ndeshje, jam në dyshim, nuk e di a do luaj. Me profesor Likën, morëm disa humbje, por ai na tha se nuk ka ardhur me shkopin magjik. Na tha se kishte besim te ne, dhe se ishim një grup me çuna të rinj të etur për të luajtur. Na futi frymën e grupit. Rroga tek Anderlehti? Të them të drejtën, kontratën që kam firmosur nuk e kam parë fare. Me zor kam pritur ta firmos.”
/Panoramasport