Gjithsesi, zërat për bashkëpunim me teknik grek, që më parë ka drejtuar edhe në Ukrainë e Qipro, konkretisht ekipet e SK Tavriya dhe Aris Limassol, kanë shqetësuar drejtuesit e Luftëtarit, pasi deri më tani ecuria e ekipit me në krye trajnerin Hasan Lika ka qenë e mirë. Në Gjirokastër lajmin e dalë e konsiderojnë si një shpifje, më anë të së cilës synohet prishja e klimës në ekipin bluzi, që të shtunën mori një fitore me vlera kundër Flamurtarit me rezultatin e ngushtë 2-1.

“Duke marre shkas nga shkrimet në të përditshmet sportive lidhur me praninë e ish-trajnerit të Janinës në Gjirokastër, K.S Luftëtari bën me dije se nuk ka kontakt me asnjë trajner. Këto aludime dashakeqe janë vetëm shpifje të ulëta që synojnë krijimin e klimës negative në ekip. Ecuria e Luftëtarit dhe rezultatet e tij janë meritë e padiskutueshme e stafit teknik që po punon me përkushtim dhe seriozitet. Luftëtari e ka trajnerin e tij dhe stafi teknik gëzon besimin e plotë të presidentit dhe bordit drejtues. Synimi ynë i vetëm është arritja e objektivit Europë dhe gjithçka tjetër është vetëm tymnaje që nuk na shpërqendron dot në fazën më të rëndësishme të sezonit”, shkruhet në deklaratën e Luftëtarit. Gjirokastritët renditen në vendin e tretë në kampionat dhe tashmë diferenca me Partizanin ka shkuar në katër pikë, duke e bërë objektivin Europë një mision të arritshëm. /EDS/