UEFA bën llogaritë dhe momentalisht Shqipëria përfaqësohet me tre klube në turin e parë të kualifikueseve të Europa League. Skënderbeu është i dënuar dhe Luftëtari, Laçi e Partizani matematikisht e kanë siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane, por gjithçka varet nga CAS, që pritet të marrë një vendim mbi dënimin që kanë marrë bardhekuqtë nga UEFA.
Por nëse nuk ka ndryshim vendimi, atëherë diçka është e sigurt: të tria ekipet pjesëmarrëse do të jenë në vazon e të dobëtave.
Partizani ka koeficientin më të lartë, 2.000, kurse Luftëtari e Laçi 1.700. Kjo bën që në turin e parë të kenë përballë ekipe të vështira. Rreziku është që të përballen me ekipe si Maçabi Tel Aviv, Partizanin Beograd, apo skocezët e Rangers. Në listë është edhe Shakhtyor Soligorsk-i i Elis Bakaj, por edhe Osijek-u i Eros Grezdës.
Më poshtë është lista e skuadrave që mund të përballen ekipet shqiptare, por nuk është e plotë, pasi janë disa ekipe që ende nuk e kanë siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Shorti pritet të hidhet më datë 19 qershor në Nyon të Zvicrës, ndërkohë që ndeshjet luhen më 12 dhe 19 korrik.
LISTA E RIVALËVE TË PARTIZANIT, LAÇIT DHE LUFTËTARIT (JO E PLOTË)
Maçabi Tel Aviv, Partizan Beograd, Molde, Apollon, Dinamo Minsk, Lech Poznań, FH, Dundalk, Žalgiris, Gabala, Osijek, Vardar, Slovan Bratislava, Beitar Jerusalem, Anorthosis Famagusta, Dinamo Tbilisi, Nõmme Kalju, AIK, BK Häcken, Slavia Sofia, CSKA Sofia, Ventspils, Radnički Niš, Shakhtyor Soligorsk, Rangers, Hibernian, Kairat, Irtysh Pavlodar, Tobol, Fola Esch, Sarpsborg 08, Sarajevo, Domžale, Željezničar, Vaduz, FCI Levadia, Milsami Orhei, Stjarnan, Cliftonville, DAC Dunajská Streda /EDS/