Sfida Kamza-Laçi nuk ishte e ndjeshme vetëm për objektivat e këtyre dy ekipeve, por edhe për Vllazninë.
Shkodranët kërkonin një nder nga Laçi për të fituar kundër Kamzës.
Laçi ia doli të fitonte 2-1 dhe Vllaznia pas suksesit 2-1 kundër Kukësit tashmë vazhdon të shpresojë për mbijetesë në Superligë.
Kamza-Laçi ishte gjithashtu një ndeshje me ndjeshmëri të lartë edhe për tre shkodranët që luajnë tek ekipi kurbinas: Nika, Fangaj, Shtubina.
Ky i fundit, para ndeshjes i ka dërguar një mesazh bashkëshortes së tij. “Sot është një ditë e veçantë për mua dhe për ju. E di që jeni me mua në çdo moment. Por sot dua edhe Zotin me vete. Sot është një ditë e paharruar për të gjithë Shtubinat. Para Laçi, para Vllaznia”, shkruan Ndriçim Shtubina në mesazhin e dërguar bashkëshortes së tij.
Një mesazh që tregon se sa i fortë ka qenë emocioni para takimit Kamza-Laçi për Shtubinën, duke parë se nga kjo ndeshje nuk varej vetëm fati i kurbinasve për Europë, por edhe fati i Vllaznisë për mbijetesë.
Në fakt, Shtubina u largua verën e shkuar nga Vllaznia me polemika.
Pas largimit ironizoi me një status në Facebook ku shkruante: “Nga ky moment jam lojtar i lirë. Shpresoj që Vllaznia të blejë Messin në vendin tim. S’kam çfarë të flas më”.
Në fakt, “Messi” i Vllaznisë mbeti Shtubina, edhe pse ky i fundit u largua nga shkodranët, pasi fati i kuqebluve mbeti edhe këtë vit në dorën e Shtubinës, ndonëse në mënyrë jo të drejtpërdrejt./Vipsport.al/