Nëse kujtoni se është zgjidhur gjithçka, nuk keni parë gjë akoma. Llogaritë të hapura për mbijetesën dhe Europën në 90 minutat e fundit të kampionatit. Epiqendrat me magnitudën më të lartë, “Selman Stërmasi” dhe stadiumi “Skënderbeu”. Vllaznia dhe Kamza diskutojnë qëndrimin, front ku lufta është më e ashpër dhe më dramatike, duke merituar termin mbijetesë. Llogaritë janë sa të ndërlikuara, aq edhe të thjeshta. Kamza 43 pikë dhe Vllaznia 41.
Të thjeshta për faktin se skuadrës së Ahmatajt i mjafton një fitore ndaj Partizanit për të shpëtuar, ose edhe një barazim, por me kushtin që Vllaznia në Korçë të mos fitojë me më shumë se 2 gola diferencë. Matematika këtu bëhet e komplikuar, pasi hyn në lojë dhe golavarazhi i përgjithshëm i kampionatit, ku Kamza ka avantazhin e dy golave, duke qenë se Vllaznia dhe Kamza kanë të njëjtin numër pikësh, golash të shënuar dhe pësuar në përballjet direkte, dhe një kombinim i çmendur mund të bëjë që mbijetesa të vendoset nga një monedhë e shorti.
I tillë është rasti nëse Kamza barazon pa gola me Partizanin dhe Vllaznia fiton 3-0 në Korçë, ose çdo situatë ku Vllaznia fiton me tre gola diferencë ndaj Skënderbeut, dhe Kamza i përgjigjet me një barazim me numër të njëjtë golash me atë që pësojnë kuqblutë. Pra, një fitore 4-1 në Korçë me një barazim 1-1 në kryeqytet apo, një fitore 5-2 e Vllaznisë dhe një barazim 2-2 i Kamzës. Në këto situata skuadrat do të ishin në barazim në gjithë kriteret sportive dhe do të vendosej gjithçka nga shorti.
Rast vërtet interesant. Sa i përket Europës, kombinimet matematikore janë më të shumta. Për Luftëtarin gjithçka kalon nga Lushnja, i mjafton një pikë në ndeshjen e fundit për të siguruar vendin e tretë ndaj ambicieve të Lacit dhe Partizanit, që ndjekin me 3 pikë më pak. Në rast të një humbjeje të Luftëtarit dhe fitores vetëm të Laçit, bilanci i drejtëprdrejtë favorizon Luftëtarin, që do të mbante vendin e tretë. Nëse humbet Luftëtari, Laçi nuk merr tri pikë dhe fiton Partizani, në situatën kur gjirokastritët dhe të kuqtë e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, atëherë vendi i tretë dhe bileta e sigurt në Europë është për Partizanin, që favorizohet nga pikët në përballjet e drejtëpërdrejta me Luftëtarin.
Matematika i pranon të gjitha dhe ka dhe një opsion tjetër, ai ku fitojnë Laçi dhe Partizani dhe Luftëtari humbet, të trija skuadrat do të gjendeshin në kuotë të barabartë pikësh dhe pozicionimi do të vendosej nga një pikët e grumbulluara prej një minikampionati virtual në përballjet e drejtpërdrejta mes tri skuadrave, rast ky ku atëherë fiton sërish Luftëtari, që e fiton këtë minikampionat në kuotën e 12 pikëve, kundrejt 11 të të kuqve dhe 9 të kurbinasve.
Janë këto llogaritë që vlen të theksohet se bëhen pa përfshirë eventualitetin e finales së Kupës apo dhe një mospjesëmarrjeje në Europë për shkak të dënimit nga UEFA për Skënderbeun. Ajo e fundit, është një javë ku në çdo ndeshje luhet për objektiva të rëndësishëm të paktën nga një skuadër, me përjashtim të Kukësi – Flamurtari, takim që përball dy skuadra që i kanë të mbyllura tanimë llogaritë me kampionatin.
/Supersport