You are here
Home > Futbolli Shqiptar > “Cigani” i pafat, kështu Çani dështoi edhe në… Shqipëri

“Cigani” i pafat, kështu Çani dështoi edhe në… Shqipëri

Në një dekadë si futbollist profesionist, vetëm 50 të shënuar në 271 ndeshje, por sa shumë probleme dhe pengesa vështirësuan karrierën e tij. Nga lavdia me kombëtaren te harresa…

Anton Cicani

Një gol në kampionat dhe një në Kupë… Duhet të ishte blerja e madhe e kampionatit, ajo që do të spostonte ekuilibrat, por i madh rezultoi vetëm si dështim. Edgar Çani zhgënjeu pritshmërinë e tifozëve të Partizanit, duke lënë sulmin e kuq “jetim”, pikërisht atëherë kur pritej që largimi i Ekubanit të zëvendësohej denjësisht. Një sezon që do të futet në harresë për 28-vjeçarin, ndoshta më i shëmtuari në karrierën e tij që numëron plot 13 skuadra të ndryshme të ndërruara.

Me valixhe… – “Edgarin e kemi humbur, presim ta rigjejmë gjatë rrugës, ashtu si shpesh ka ndodhur me shumë futbollistë të tjerë…”. Kur Xhani de Biazi tha këtë fjali, ishte koha kur Çani sapo kishte shkuar te Lids Junajtidi, me shpresën dhe besimin se do të arrinte të përshtatej me fizicitetin e futbollit “british”, duke ditur strukturën dhe staturën e tij. Gola me kokë, i fortë në dyluftime dhe apozicional. Karakteristika të domosdoshme sidomos në një kampionat si Championship, pra kategoria e dytë angleze, një kat më poshtë se Premier League. Pikërisht te Lids Junajtidi, aty ku verën e shkuar u transferua një farë Ekuban, pasi udhëhoqi Partizanin e tij në Superligë me 17 gola, duke lënë më pas një boshllëk aq të madh sa sot të duket sikur “Eku”, siç e thërrisnin tifozët dhe trajneri i tij Starova, ka luajtur në një kohë të lavdishme me të kuqtë. Por, duke iu kthyer deklaratës së De Biazit, trajneri italian, megjithatë, i dha edhe një tjetër mundësi, ndoshta thjesht edhe stimul Edgarit, duke e ftuar për ndeshjen në Izrael, ku Shqipëria fitoi 3-0… Do të ishte hera e fundit e sulmuesit me fanellën kuqezi.

Big Brother – Megjithatë, historia e Çanit është disi e çuditshme. Në vitin 2008, pra 10 më parë, sigurisht, ishte ende një i panjohur… Madje, më i njohur do të ishte i ati, Edgar, që u bë pjesë e spektaklit “Big Brother 5 ” në Shqipëri. Edgar Jr luante në Peskara, mbante flokët me fije të verdha dhe kishte shënuar 3 gola në 11 ndeshje në Serinë B. Drejtuesve të Federatës i ra në sy, por Edgari ishte ende 18 vjeç në atë kohë dhe kishte kohë që të shpërthente. Kështu, u la të rritej në qetësi dhe pa presione, ndërsa sinjale nga federata italiane për ta thërritur nuk pati për asnjë moment, përtej “legjendave urbane”. Firma me Palermon ishte hapi më i madh për të (mjafton të shihet se siçilianët investuan 600 mijë euro për kartonin e tij), teksa në shkurt të vitit 2011 do të dilte hapur “ëndrra ime është të vesh fanellën e Shqipërisë, uroj që sa më shpejt të ndodhë kjo gjë”.

Viti i artë – Kjo gjë do të ndodhte në vitin 2012, kur Xhani de Biazi merr drejtimin e kombëtares kuqezi dhe e vendos në listën e tij të parë: ftesë për miqësoren në Tblisi, ndaj Gjeorgjisë, aty ku sulmuesi shënon në debutim. “Shenjë fati”, do të thonin shumë, teksa tifozët fërkonin duart se kishin gjetur, më në fund, atë bomber që do të bënte të harrohej Igli Tare & Co, me Bogdanin që po i drejtohej fundin të karrierës me përfaqësuesen. Ndërkohë, Edgari kishte ndërruar plot katër skuadra (Askoli, Padova, Piaçenca dhe Modena), për t’u blerë përfundimisht nga Polonia e Varshavës te Palermo për thuajse 800 mijë euro.

Parajsë dhe ferr – Sigurisht, Polonia do të ishte thjesht një tjetër stacion. Stacioni ku ndoshta Edgari gjeti atë që i duhej: golat! Do të ishin plot 11 në 26 ndeshje (13 nëse përfshihen edhe dy në kupën e Polonisë). Dhe, Shqipëria gjithashtu përfitoi në eliminatoret e Botërorit 2014, teksa sulmuesi i rritur në Peruxhia do të shënonte dy gola. Por, pikërisht në momentin më të mirë në karrierë, gjendja financiare e skuadrës polake ishte përkeqësuar dhe rrogat mungonin prej gjashtë muajsh. Një situatë e padurueshme, teksa kontrata e firmosur për 3 vjet do të kthehej një farë “burgu”. Sherr me trajnerin, drejtuesit dhe revolta për t’u larguar dhe prishur kontratën. Pas një gjysmë sezoni të kaluar mes rezervave dhe kryesisht tribunës, Edgari lirohet, në sajë edhe të agjentit të tij, duke u kthyer në Itali, sërish në Siçili, këtë herë te Katania. Por, aty has vështirësi, duke luajtur vetëm katër ndeshje. Nga Siçilia në Angli – Kështu, skuadra kataneze vendos që të bëjë atë që kishte bërë Palermo: ta huazojë. Karpi, Bari dhe Lids Junajtid do të ktheheshin stacionet e radhës për të, por do të koleksiononte në total 32 ndeshje në 3 vjet. Shumë pak, për të mos thënë aspak. Ndërkohë, vetëm katër gola ishin bilanci përfundimtar. Klubi anglez, që mund ta blinte për vetëm 650 mijë euro, në fund të sezonit, do të hiqte dorë, duke e rikthyer mbrapsht, mes kritikave të tifozëve për një afrim që rezultoi të ishte i dështuar.

Kulla me pendencë – Sërish Italia kthehet në bazë për të, këtë herë në Piza. Dhe, ashtu si kulla e famshme, edhe karriera e Edgarit nuk do të drejtohej… Do të vazhdonte të ishte me pendencë, aq sa sulmuesi në dy sezone dhe 64 ndeshje, do të shënonte vetëm 8 gola. E megjithatë, nuk arriti dot që të kryente misionin për të shpëtuar bluzinjtë nga rënia nga kategoria.

Stacioni i fundit  – Stacioni i tretë larg Italisë do të vinte verën e shkuar, kur Partizani, duke befasuar të gjithë, do të zyrtarizonte arritjen e akordit me sulmuesin shtatlarë, që vinte nga dy sezone me Pizën dhe në Serinë B. Një afrim i rëndësishëm për klubin e kuq, që sigurisht u nis nga ideja për të zëvendësuar largimin e Ekubanit dhe Sukajt. Prezantim i bujshëm, shumë fotografë dhe përfaqësues së medieve në sallë… “Premtoj titullin me Partizanin”, ishte kryefjala, ndërsa e vërteta ishte një tjetër: sulmuesi vuante nga një dëmtim jo i lehtë, i cili u mbajt i fshehur nga stafi i klubit të kuq, që tentoi ta rikuperonte duke sforcuar kohët. Një rikuperim që do të kishte pasoja të rënda. Pas ndeshjes me Kukësin dhe Skënderbeun në shtator të vitit të shkuar, pra në startin e kampionatit, Edgari do të shkonte në “boxe”, duke qëndruar plot pesë muaj, deri te rikthimi në mars të këtij viti, në sfidën naj Luftëtarit, fituar 3-0. Sa i përket golit të parë dhe të vetëm në kampionat, do të duhej të priste sfidën ndaj Flamurtarit, po në muajin mars, një rrjetë me peshë, që kujtoi pak Çanin e kohëve të para… Adoleshencës dhe shpërthimit, me kokë. Një gol që vazhdon të jetë i vetmi. E ndërsa pritej që rikuperimi i tij të sillte edhe golat dhe të ndihmonte Partizanin, ashtu si në vitin e dytë në Poloni, më shumë u fol për çështje se sa për paraqitjet dhe rendimentin. Nga problemet e vazhdueshme dhe kronike të fizikut, te debatet në stërvitje dhe pakënaqësitë. Një situatë të cilën Edgari e kishte përjetuar edhe më parë, te Polonia e Varshavës dhe Piza… Jashtë skuadre, stërvitje i diferencuar dhe fundi i pritshëm: largimi! Sepse, Çani, përpos së gjithave, mendjen e ka ende në Itali, aty ku ndoshta i kanë munguar golat, por jo dashuria e njerëzve, mes miqve dhe familjarëve…

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top