
Çudia e vitit në futbollin rumun ka ndodhur në ditën e djeshme, atje ku Voluntari ka barazuar ndaj Poli Iashit pa gola. E sigurisht, si mund të mungonte Kamer Qaka dhe protagonizmi i tij kur flitet për skandale në futbollin e këtij vendi?
Megjithëse këtë herë mesfushori i Shqipërisë është më shumë i pafajshëm, por fati e ka kërkuar që të jetë protagonist i këtij rasti. Gjatë ndeshjes së djeshme, pasi kishin kaluar 5 minuta nga loja normale në fushë, u vërejt se Kamer Qaka kishte të njëjtin numër në fanellë së bashku me shokun e skuadrës, Platini.
Të dy mbanin numrin 92 mbi shpinë, ndërsa stafi i Poli Iashit që e kuptoi më vonë këtë gafë të pafalshme, vrapoi menjëherë për t’i dhënë fanellën e duhur Platinis. Ky i fundit e kishte ngatërruar fanellën e tij në dhomat e zhveshjes, duke marrë atë të Kamer Qakës. I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i tifozëve, që nuk mund ta përtypin lehtë një sjellje të tillë që tregon shumë edhe për profesionalizmin e klubit të tyre. /Shqiperia.ch/