
Shqipëria do të ndeshet në qershor përballë Islandës në transfertë, ndërsa më pas do të luajë në shtëpi ndaj Moldavisë. Trajneri Reja ka folur sa i përket listës së lojtarëve që priten të grumbullohen për këto ndeshje, duke u shprehur se i ka të qartë futbollistët që do të grumbullohen.
Në një prononcim për “Top Channel”, trajneri i kuqezinjve ka thënë se e ka të qartë se kë do të thërrasë në takimet e qershorit, megjithëse do të ketë disa reduktime në listë. Gjithmonë përparësi kanë lojtarët që kanë luajtur më shumë në ekipet e tyre, ndërsa theksohet fakti se tifozët presin një Shqipëri sulmuese.
“Duhej t’i njihja më parë, sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion. Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta. E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike.
Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë. Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë”, ka thënë Reja. /Shqiperia.ch/