
Çfarë ndryshoi më së shumti te Shqipëria e djeshme, përveçse rezultatit ndaj Uellsit? Mesfusha, pa asnjë diskutim të vetëm. Rikthimi i Migjen Bashës në qendër të saj, i dha edhe njëherë oksigjenin e munguar Kombëtares. Futbollisti i Arisit nuk mund të luante ndaj Skocisë për shkak të kartonave, por mund të jepte kontributin e tij ndaj Uellsit. Diferenca e këtij njeriu, pavarësisht moshës që ka, vihej re menjëherë te kuqezinjtë.
Fillimisht do të ishin kundërshtarët ata që do të mbanin topin në çdo moment dhe do të vendosnin në presion Shqipërinë, e cila nuk e kishte guximin për të kontrolluar lojën. E sapo topin e kapte Migjen Basha, një qetësi e rregull vendosej në fushë. Pasime të sakta dhe që i dilnin gjithmonë kundër parashikimeve të kundërshtarëve, gjeniu i mesfushës është vetë Basha.
Pavarësisht disa gabime që ndonjëherë edhe kushtojnë, lojtarë të tillë duhen sa më shumë te Shqipëria, sepse në të kundërt nuk mund të shkohet askund. E vetmja e keqe e këtij lojtari, është prefiksi i tij. Mosha 31-vjeçare tregon se këtë futbollist nuk do ta kemi edhe për shumë gjatë në Kombëtare, ndërsa për momentin na jep një vlerë të çmuar në Kombëtare. /Shqiperia.ch/