
Lorik Cana është figura legjendare e kombëtares shqiptare. Padyshim është ky kapiteni i vetëm i pranuar nga tifozët mbarëshqiptarë, që nuk ka për t’u harruar asnjëherë në histori. Në kohët e fundit te Shqipëria, shiriti i kapiteni ka ndërruar disa krahë, por asnjëherë nuk është gjendur lideri i vërtetë.
I intervistuar në emisionin “Kojshia Show”, që drejtohet nga Sadri Imeri, Cana ka folur gjatë për karrierën e tij. Një nga pikat më të rëndësishme ishte rrëfimi për arsyen e lënies së karrierës, e cila u përmbush pas atij kualifikimi të Shqipërisë në Europian.
“Kam thyer njëherë dy vertebra në Itali, por kjo nuk ishte arsyeja që e lashë futbollin, pasi mund ta vazhdoja edhe sot. Arsyeja kryesore ishte se vitet e fundit mu shfaq një problem kardiak, që më vendoste në rrezik shëndetin.
Në momentin që e mora vesh se kisha një gjendje më të rëndë nga çfarë u mendua, në muskulin e zemrës, luajta edhe një vit derisa u kualifikuam me Shqipërinë. Pastaj nuk kisha asgjë tjetër se çfarë të arrija në botën e futbollit.
Prandaj nuk rrezikova më shumë. Shqiptarët kanë një Kombëtare, me fanellë të kuqe dhe simbol të shqiponjës. Ka edhe një përfaqësuese të shqiptarëve tjetër, që na jep kënaqësi dhe gëzim kur e shohim. Ekziston mundësia që të kualifikohet në Europian, pa i dhënë presion lojtarëve dhe do të ishte fantastike.
Por Kombëtare nuk ka tjetër, është ajo kuqezi. Me cilën do të vazhdoja mes Shqipërisë dhe Kosovës nëse do të luaja tani? Shumë e thjeshtë, mjafton të shihni lojtarët tani që e kanë vazhduar karrierën e tyre me Kombëtaren e Shqipërisë, madje unë isha edhe drejt fundit, nuk do e ndryshoja zgjedhjen. Por që futbollistët e rinjë që po vijnë nga treva e Kosovës tani, është shumë normale që do të përfaqësojnë Kosovën”, ka thënë Lorik Cana. /Shqiperia.ch/