
Sa herë që një futbollist shqiptar luan në një ekip ndoshta jo shumë të dëgjuar dhe nuk merr ftesë nga Shqipëria, por kjo gjë ndodh menjëherë nëse shkëlqen në një skuadër më të njohur, pyetja e gazetarëve drejtuar trajnerit të Kombëtares është gjithmonë: “Përse e ftuat pikërisht tani? A nuk ishte i njëjti lojtar edhe më parë”?
Kjo ndodhi edhe me rastin e Myrto Uzunit, ndërsa gazetarët asokohe do të gozhdonin me pyetje Panuçin, se lojtari nga Uznova nuk u thirr kur ishte në Superiore, por menjëherë sapo kaloi në Kroaci. Megjithatë, po pikërisht këto media janë të parat që nuk shkruajnë as edhe një artikull të vetëm kur këta lojtarë luajnë në ekipe më pak të njohura.
Marrim këtu një tjetër rast konkret, Herdi Prenga. Pikësëpari, sa prej tyre e dinë fillimisht se ku luan mbrojtësi shqiptar? Po, në kampionatin letonez dhe me ekipin e Rigës, që ndodhet në vendin e dytë. Për herë të katërt në këtë sezon, ky lojtar është shpallur tek formacioni i javës. Më parë është thirrur te Shqipëria, madje duke lënë një shije sapopak të mirë në pjesën e dytë, në atë humbje të thellë që pësuam me Skocinë në transfertë.
Por sigurisht që Prenga është pak i dëgjuar për momentin, pasi luan me një skuadër jo shumë të njohur për shqiptarët. E megjithatë nëse pak disa kohësh Prenga do të largohet për në një kampionat shumë më të njohur dhe do të thirret nga Shqipëria, mos u habisni kur të dëgjoni pyetjen: “Po, Prenga shpallej gjithmonë në formacionin e javës në Letoni. Përse e thirrët pikërisht tani”?. /Shqiperia.ch/